Berisha: Mos të zhgënjehen ndërkombëtarët me Kurtin, sa herë të ju vynë me shty afatin, ka me shty

Pas vendimit të ri për targat nga kryeministri Kurti, ShBA kanë reaguar menjëherë duke u shprehur të zhgënjyera me Qeverinë Kurti, i cili sipas tyre nuk ka përfillur kërkesat e ndërkombëtareve, shkruan Periskopi.

E deputeti i AAK-së Bekë Berisha në një prononcim për Periskopin ka thënë se nuk është nevoja që zhgënjehen ndërkombëtarët sepse sipas tij Kurti do t’i dëgjoj sa herë që kërkohet diçka nga ta.

“Sa herë të ju vynë me shty afatin, ky ka me shty. Nuk është problem hiç mos të zhgënjehet as ndërkombëtarët me të as hiç, se ky sa herë t’i lypin pastaj edhe 10 muaj edhe 20 muaj, por kjo është një metodë deri në momentet e fundit me bë diçka”, ka thënë Beka

“Po ka qenë diçka e pritshme e kemi ditur se Kurti po demantohet përditë për krejt ato që ka thënë. Nuk kam prit që do t’i ngul këmbët dhe do të rrijë në të drejtën e Kosovës për me zbatu ligjin dhe kjo tash është shumë normale. Do të thotë ky e ka përjetuar qysh është presioni, unë s’kom dyshuar kurrë që ky do të lëshoj pe në të gjitha ato që do të vijnë. Ka leshu pe në të gjitha premtimet e veta dhe tash edhe e ka pranu presionin ndërkombëtar dhe besoj e din tash do të jetë më i përgjegjshëm dhe të sillet më normal”, tha Beka.

Zhgënjimi i ShBA-ve me Qeverinë Kurti

Pas vendimit të Kurtit për targat, DASh ka dalur me një komunikatë, ku treguan zhgënjimin e tyre me Qeverinë Kurti.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të vendimit për targat. Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, thuhet në reagim.

Çka përmban vendimi i ri i Kurtit për targat?

Dje kryeministri Kurti në mbledhjen e mbajtur të Qeverisë njoftoi për vendimin e ri rreth afatit për targat, vendim ky i shoqëruar me disa masa shtesë.

Plani i ri i prezantuar nga Qeveria parasheh që pas datë 21 prill të mos lejohen asnjë targë tjetër që nuk janë RKS.

“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë./Iliriana Xhylani-Periskopi