Ish- këshilltari i Presidentit Thaçi, njëherit njëri prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të ish- shefit të shtetit, Bekim Çollaku ka qenë i ftuari i radhës në emisionin “Blic Interview”.Ai duke folur për dialogun Kosovë- Serbi, tha se ky proces ka stagnuar gjatë 3-4 viteve të fundit.
”Fillimisht, me të vërtetë është gjë e keqe dhe një dëshmi tjetër shtesë që dialogu në këto tri-katër vitet e fundit thuajse ka stagnuar në tërësi dhe si rrjedhojë e stagnimit drejt avancimit dhe drejt ecjes drejt marrëveshjes përfundimtare, kemi pasur një kthim prapa dhe një riciklim të marrëveshjeve teknike. Këtu duke përfshirë edhe marrëveshjen për targat të makinave, e cila është bërë vite më parë dhe për arsye të ndryshme nuk është zbatuar në tërësi”, ka theksuar ai, raporton Gazeta Blic.
Sipas tij, nga Qeveria aktuale kjo marrëveshje po rritet dhe po përdoret si një test, për të testuar edhe durimin e bashkësisë ndërkombëtare, për të krijuar tensione në veri të Kosovës.
Ai thotë se tensionet në veri të Kosovës nuk e di se kujt i shkojnë për shtati, por shton ai Kosovës më së paku.”Dhe së treti, marrëveshja për targat po përdoret si një element për ta ruajtur status quon aktuale, që nënkupton për të mos lëvizur drejt marrëveshjes përfundimtare”, tha ai në Blic Interview.
Çollaku thotë se kryeministrit Kurti po i konvenon ruajtja e “status quos”, ngase siç shprehet ai, kryeministri ka frikë nga marrëveshja përfundimtare.”Fatkeqësisht, ruajtja e status quos është interes i kryeministrit Kurti, i cili ka frikë nga marrëveshja përfundimtare, prandaj vazhdon të shpenzoj kohë dhe energji në cështje të natyrës teknike”, tha ai.
Sipas tij, sa i përket ngritjes së tensioneve në veri, në njërën anë është Qeveria e Kosovës dhe në tjetrën Qeveria e Serbisë, e cila po mundohet ta mbajë kontrollin në veri përmes strukturave paralele atje.