Inspektorati Policor po trajton një ankesë kundër dy zyrtarëve policorë të adresuar nga një qytetar i cili është ankuar për sjelljen e zyrtarëve të enjten.
Sipas ankesës së qytetarit Dritëro Mehmetaj, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë ai është ndaluar nga dy policët që kanë qenë në rroba civile dhe pasi është ndaluar nuk ka mundur të marrë përgjigje për arsyen e ndaljes.
Në ankesën dërguar IPK-së, thuhet se policët janë futur pa dhënë shenja në komunikacion në shiritin ku qarkullonte qytetari duke dalë para veturës së tij. Qytetari ka theksuar disa herë në ankesë se vetura e policëve ashtu si vetë policët kanë qenë civile dhe se nuk ka pasur alarme të ndezur. Mehmetaj ka arsyetuar se derisa vetë ishte nën afekt nga sjellja e veturës tjetër, i ka rënë borisë, gjë pas së cilës edhe është ndaluar.
Pas ndërveprimit të dy veturave kur Mehmetaj i bën “me gjeste që të vazhdojë rrugën”, policët lëshojnë alarmin në veturë për t’ia bërë me dije se janë zyrtarë dhe e ndalojnë. Sipas qytetarit, pasi ia kanë kërkuar dokumentet, asnjëherë nuk janë përgjigjur se pse e kanë ndaluar.
Sipas deklaratës së qytetarit, policët i kanë thënë se ka abuzuar me borinë, madje sipas tij, policët iu janë drejtuar atij me fjalët: “nuk të takon ty me më cfirat mua”.
Ndërkohë, nga policia Mehmetaj është telefonuar edhe një herë të enjten mbrëma. Ai i ka thënë KOHËS se kur është paraqitur në stacion pas thirrjes, policia nuk i ka marrë deklaratë për rastin dhe e ka njoftuar se dënimin për gjobën që ka marrë ka shkuar në gjykatë. Teksa, Mehmetaj pretendon se nuk i është bërë e ditur asnjëherë nga zyrtarët në rrugë se ishte gjobitur.
“Unë nuk kam kurrfarë informacioni pse jam gjobitur. Policët që më kanë ndalë në asnjë moment nuk më kanë përmendur gjobë”, tha ai.
Ngjarja nga momenti i ndaljes së veturës së Mehmetajt është incizuar me telefon nga pasagjeri që ishte me të.