Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi është kthyer prapa nga autoritetet serbe pak para se të mbërrinte në Beograd. Çka dimë deri tash?
Portali Koha ka raportuar se Bislimi është detyruar të kthehet në Kosovë me arsyen “për shkaqe sigurie”.
Të tjera arsye deri tash nuk janë ofruar, ndërkohë që Qeveria e Kosovës nuk ka lëshuar një deklaratë për media ende.
Bislimi ka folur për portalin Koha dhe është shprehur si vijon:
“Ne kemi bërë kërkesën për vizitë para një jave. Vizita është aprovuar. Kemi kaluar kufirin. Jemi afruar deri te Beogradi. Tek aty na ka dalë një veturë tjetër e policisë që na ka ndalë e ka thënë se për arsye të sigurisë s’mund të bëhet. Po del se është krejt manipulim… Doli një veturë shtesë, ka dalë konvoji dhe ka kërkuar të kthehemi se gjoja ka probleme për siguri. Ka thënë se po kërcënohet siguria” – është shprehur Zëvendëskryeministri i vendit.
Sipas një videoje të publikuar nga një portal tjetër, ATV, Bislimi pretendohet të jetë ndalur në vendbanimin serb Markovac.
Markovaci del se ndodhet 103 kilometra larg kryeqytetit serb, Beogradit.
Ndërkohë, prej Merdares e deri në këtë vendbanim sipas Google Maps del se janë 180 kilometra.
Zëvendëskryeministri Bislimi parashihej të merrte pjesë në Konferencën e Forumit për Raporte Etnike, sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës.
“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, merr pjesë në Beograd, ditën e enjte në konferencën e Forumit për Marrëdhënie Etnike, në tryezën e diskutimit “Dialogu Diplomatik”, me temë “Kosova dhe Perspektiva Evropiane e Rajonit”, me fillim nga ora 17:00,” – thuhej në njoftimin e ZKM-së.
Bislimi është kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel. Ndërkohë, sa i përket dialogut është riaktualizuar çështja e targave për shkak të afatit për ndërrimin e targave ilegale në targa RKS për qytetarët serbë që skadon më 31 tetor.
Së fundi, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ishte shprehur se pret një rezistencë demokratike të popullit serb të Kosovës në lidhje me çështjen e targave.