“Ka mundur të rregullohet në vitin 2005”, “Po i mashtroni qytetarët”, përplasje mes Ganimete Musliut e Liburn Aliut

Një përplasje ka ndodhur sot në Kuvend mes deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu dhe ministrit të Infrastrukturë, Liburn Aliu, për fillimin e projektit të rrugës në fshatrat veriore të Mitrovicës: Magjerë, Dedi, Batahir, Bistricë e Cerajë.

Liburn Aliu tha se ka këto fshatra i ka vizituar në vikend, madje tha se posedon edhe fotografi.

“Unë kam qenë për vikend atje, pra ditën e shtunë kam qenë i kam vizitu këto fshatra dhe i kam parë punimet… Atje janë duke u shtruar shtresat e zhavorrit, fotografitë i kam në telefon. Pra është jashtëzakonisht me prioritet, aktualisht mobilizimin më të madh e kemi në këto fshatra në veri… Zotimin që ua kam dhënë, jam duke punu maksimalisht për me iu përmbajt”, tha Aliu.

Pas kësaj, Musliu i reagoi.

“Ministër më vjen keq, rruga atje nuk është duke u asfaltuar. Projekti ka qenë për asfaltim, ju jeni duke vendosur zhavorr, që me reshjet e para asnjë makinë nuk mund të shkojë në këto fshatra… Fotografi të japë edhe unë, i kam postu në facebook që kam qenë para 2 javësh. Ndoshta masi që e keni marrë pyetjen, jeni shku e keni shtu trashësinë e zhavorrit. Atje duhet të asfaltohet rruga. Po mundohem me qenë korrekte me juve, sepse korrekte jam mundu me qenë edhe kur ua kam bo pyetjen për herë të parë. Atje po i mashtroni qytetarët me dy-tre kamionë zhavorr”, tha Musliu, por pastaj iu ndalë fjala.

Më pas, Aliu tha se kjo rrugë është dashur të shtrohet gjatë viteve të kaluara.

“Deputete e nderuar, ju mund të etiketoni dhe të thoni çka të doni. Projekti është për asfalt, dhe asfalt ka me u shtru, por asfalti shtrohet pas zhavorrit… Jemi duke e rregullu një rrugë që ka mundur të rregullohet në vitin 2005, ose 2006, ose 2007, ose 2008, ose 2009, ose 2010, ose 2011, ose 2012 se vazhdimisht keni pasë pyetje parlamentare këtu. Jemi duke e shtru me një urgjencë super të madhe”, tha Aliu.

Ndaj kësaj deklarate nuk mungoi reagimi i Musliut.

“Vetë nervoza juaj në këtë mënyrë dhe joprofesionalizmi juaj i adresimit të çështjes në këtë mënyrë, tregon se ti je duke i mashtru qytetarët atje. Pajtohem që fillimisht shtrohet zhavorri, po gjema në botë dikun që asfalti shtrohet në dhjetor, dhe ju jeni zotu që ai projekt do të mbarojë këtë vit, prandaj je ka i mashtron qytetarët. Pra tregom kur do të përfundojë, kur do ta shkelim unë edhe ti asfaltin në veri tëMitrovicës. E sa i përket 2005-s, 2000-s, 1999-s, ti je me fat që aty ulesh pas atyre qeveritarëve që kanë qeveris para teje. Je me fat ministër, prandaj po them mos i mashtroni qytetarët”.