Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Grvalla ka reaguar ndaj një shkrimi të Baton Haxhiut, për të cilin thotë se është i pavërtetë që nga fillimi deri në fund.
“Askujt në Kosovë nuk kam nevojë t’i shpjegoj se kush është Baton Haxhiu, cilat janë motivet e tij dhe nga vjen i gjithë ky mllef, i cili nuk ndalet as para gënjeshtrave të kulluara. Qytetarët e Republikës së Kosovës, të lodhur me këto lloj fushatash, dijnë ta ndajnë fort mirë gazetarinë nga propaganda dhe fushatat denigruese nën petkun e gazetarisë”, ka shkruar ministrja në facebook.
Shkrimi i plotë:
Nga kuzhina e fabrikimit të lajmeve të rreme
Sot më ra në sy që portali i Baton Haxhiut „Albanian Post“ qenka marrë përsëri me mua në një artikull të gjatë. Në stilin e kuzhinës ruse të fabrikimit të lajmeve të rreme, artikulli i titulluar „Ministrja në botën e çudirave“ jo që përmban ndonjë gënjeshtër aty-këtu, por është i pavërtetë nga fillimi e deri në fund.
Nga më shumë se 12 mijë shkronjat e këtij teksti, i vërtetë është vetëm fakti që gjatë vizitës zyrtare në Maqedoni në verën e vitit të kaluar, pra në vitin 2021, delegacioni i Republikës së Kosovës është pritur nga kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, z. Zoran Zaev, me të cilin kemi zhvilluar një bisedë shumë të frytshme mes fqinjësh, të cilët ndajnë halle të ngjashme dhe kanë marrëdhënie shumë të mira mes vete. Takime kemi zhvilluar gjatë asaj vizite edhe me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Kryetarin e Kuvendit, Zëvendëskryeministrin, Ministrin e Punëve të Jashtme, kryetarin e Komunës së Gostivarit dhe përfaqësues të tjerë të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
E tërë pjesa tjetër e tekstit është thjesht e trilluar. Edhe tre burrat e veshur me kostume afër një veture të zezë, edhe vajtjet e mia të vazhdueshme në bufenë tashmë të mbyllur të MPJD-së (në fakt një herë kam shkuar për t’i udhëzuar të mos shesin më në ambientet e MPJD-së lëngje të sjella nga Serbia), edhe të bërtiturat në telefon që i paskan shurdhuar veshin homologes sime shumë të respektuar Olta Xhaçka, edhe kërkesa e amerikanëve që të mos marr pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit në Nju Jork, edhe të gjitha pohimet e tjera. Gënjeshtra të kulluara!
Është e vërtetë, që qëndrimet e drejta të Republikës së Kosovës dhe interesat e qytetarëve të saj, si Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i mbroj kudo që shkoj me vendosmëri, argumente dhe me gjuhë të qartë dhe të peshuar mirë. Për këtë jam betuar më 22 mars 2021 para Kuvendit të Republikës së Kosovës. Të bërtiturat, korrupsioni, keqpërdorimet janë pjesë e repertorit të një kategorie krejt tjetër politikanësh, të cilët për fat të mirë në Kosovë i takojnë së kaluarës. Aq më tepër që përpjekja për të më paraqitur si grua histerike, e cila nuk e ka veten nën kontroll dhe bërtet kur t’i teket dhe kujt t’i teket nuk pi ujë, sepse Kosova është e vogël dhe pak a shumë të gjithë e njohim njëri-tjetrin.
Tashmë është bërë e zakonshme që atëherë kur Qeveria e Republikës së Kosovës ndodhet para ballafaqimeve direkte dhe të vështira me Serbinë e Vuçiçit dhe Daçiçit, fillojnë „krejt rastësisht“ edhe sulmet dhe fushatat denigruese ndaj përfaqësuesve të institucioneve të Republikës.
Askujt në Kosovë nuk kam nevojë t’i shpjegoj se kush është Baton Haxhiu, cilat janë motivet e tij dhe nga vjen i gjithë ky mllef, i cili nuk ndalet as para gënjeshtrave të kulluara. Qytetarët e Republikës së Kosovës, të lodhur me këto lloj fushatash, dijnë ta ndajnë fort mirë gazetarinë nga propaganda dhe fushatat denigruese nën petkun e gazetarisë.
Problemi është që artikujt e tillë po i shërbejnë mediave të regjimit në Serbi, të cilat nuk hezituan ta citojnë pa vonesë artikullin e portalit të Baton Haxhiut, për të fuqizuar fushatën kundër Republikës së Kosovës, pozicionit të saj në skenën ndërkombëtare dhe përfaqësuesve të saj legjitim.
Qytetarët e Republikës së Kosovës janë dëshmitarë të sulmeve dhe fushatave të njëpasnjëshme ndaj meje dhe kolegëve të mi, të bazuara në gënjeshtra të kulluara, të një spektri të ngushtë të portaleve mediale. Për herë të parë nesër do të shoh se cilët janë hapat e mundshëm ligjorë me qëllim që autorët e fabrikimit të këtyre lajmeve të rreme, të cilat e ndotin gazetarinë e mirëfilltë dhe të guximshme në Kosovë, të ballafaqohen me drejtësinë.
E vërteta është një dhe ajo duhet mbrojtur me çdo kusht, gjithmonë dhe në të gjitha rrethanat.
Natyrisht që Baton Haxhiu mund të mos jetë i vetmi, i cili shqetësohet nga përparimi i jashtëzakonshëm që Kosova ka bërë në sundimin e ligjit dhe rritja gjithnjë më e madhe e përkrahjes ndërkombëtare për Kosovën pikërisht për shkak të këtij përparimi.
Në fotografinë e mëposhtme do të shihni që WJP (World Justice Projekt) me seli në Uashington, në raportin e tij të vitit 2022, Kosovën e ka radhitur të dytën në botë për përparim në sundimin e ligjit.
Kosova këtë vit është radhitur përsëri e para në rajon, duke u ngritur për tri vende, ndërkohë që Serbia, me lidershipin e saj jodemokratik, me shkallën shumë të lartë të korrupsionit, përsëri është ulur për dy vende, shumë larg pozicionit ku ndodhet Kosova.