Surroi: Manastiri i Deçanit është trashëgimi edhe e Kosovës

Shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi ka thënë se manastiri i Deçanit është trashëgimi edhe e Kosovës dhe se qeveria e ka obligim që ta trajtojë atë.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai ka theksuar se duhet të krijohet një dialog ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Manastirit të Deçanit në mënyrë që të krijohen kushte për evoluim.

“Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me kishte të ndërtuar gjatë kohës së Sllobodan Millosheviqit. Pra kemi të bëjmë me vendim lidhur me dhëniet e tokës për një manastir shumë të vjetër”.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka vendosur mbi substancën e materies. Vendimi i Kushtetueses nuk thotë kjo tokë i përket këtij ose atij, por thotë nuk është respektuar kjo procedurë dhe është respektuar kjo dhe rrjedhimisht vlen një vendim i gjykatës më të ulët. Pra vendimi i Kushtetueses është thjeshtë procedural, megjithatë është final”.

“Kosova dhe kisha ortodokse serbe [manastiri i Deçanit] duhet të vendosin një dialog me të cilin Kosova zotohet se do të krijojë kushte që Manastir i Deçanit të ketë një evoluim ekonomik, liri, zonë të mbrojtjes, por që Manastiri i Deçanit në dialog me Qeverinë e Kosovës të mos e vejë vetën në pozitë që të shihet si institucion i cili ka marrë një dhuratë nga pushteti i Millosheviqit sepse kjo e vë vetë manastirin në dritë të keqe”.

“Pra duhet të vendosë një dialog i cili arrin një marrëveshje mes qeverisë dhe manastirit dhe i cili siguron dhe mendon për një projekt shumë më afatgjatë të zhvillimit të atij koncepti, ekologjik, religjioz, turistik e kulturor sepse ka përmbajtje shumë më të madhe dhe më të rëndësishme për tërë Kosovën sepse është pjesë e trashëgimisë kulturore edhe e Kosovës”.

“Në kemi një obligim të veçantë për ta trajtuar, jo në formë të reduktuar e cila thotë është një vendim i gjykatës sepse kjo nuk krijon një relacion pozitiv për ardhmëri”.