Drejtori i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndërtenike, Fatmir Sheholli thotë se kryeministri i vendit, Albin Kurti duhet të shkojë në veri dhe të takohet me serbët atje, pasi të njëjtit janë të shqetësuar për ndryshimin e targave.
Sipas tij, qytetarët e veriut janë qytetarët të Kosovës dhe Kurti duhet të bisedojë me ta. Ai theksoi se është i bindur se Kurti mundet të gjej një gjuhë të përbashkët me serbët e veriut.
“Unë jam shumë i bindur se Kurti ka logjikë dhe ka premisa të jashtëzakonshme për këto çështje të dialogut dhe mundet të gjejë një gjuhë të përbashkët me serbët e veriut. Përndryshe ne kemi me hy në vallen të cilën Vuçiqi po dëshiron dhe në atë valle jam shumë i bindur se nëse hyjmë, ne jemi humbës në këtë çështje”, tha ai.
Sheholli thotë se ka shumë serbë të cilët janë shprehur të shqetësuar për ndërrimin e targave për shkak se mund ta humbasin vendet e punës.
“Thotë unë me marr me ndryshu tash tabelën e para, mund ta humb vendin e punës, profesor doktor në Universitetin e veriut. E dyta, nuk mund ta regjistroj fëmiun në fakultet. E treta do t’i humbi të gjitha beneficionet që shteti i paguan kapak në arsim e shëndetësi këtu. Thotë mbes në rrugë. Ka njerëz shumë të shqetësuar të cilët po kërkojnë ndihmë nga institucionet e Kosovës. Ne duhet t’i adresojmë këto çështje publikisht për me mujt me i regullu. Këto janë shqetësime të vazhdueshme të tyre për çështje të tabelave”, shtoi ai.