Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se po të ishte në vend të kryeministrit Albin Kurti, tani do t’i fillonte t’i përgatiste qytetarët për marrëveshjen me Serbinë.
Sipas Ahmetit, Kurti do të detyrohet që ta arrijë një kompromis me Serbinë, ku s’mund t’i fitojë të gjitha që dëshiron.
“Po të isha në qeveri do të nisja me i përgatitë qytetarët për çka po vjen. Nuk ka shans me i fitu krejt, ky është kompromis. Duhet ta gjejmë një mes, që s’e dëmton shtetin tonë”, ka thënë Ahmeti në “DPT te Fidani” në T7.
Duke folur për mundësitë e Kurtit dhe qasjen e tij ndaj dialogut me Serbinë, që pritet ta sjell një marrëveshje përfundimtare, Ahmeti ka thënë se Kurti duhet të jetë i gatshëm për kompromis, duke u nisur nga fakti që ai është futur në negociata.