Në dy palë zgjedhje rend, partia e udhëhequr nga Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje doli si forca më e madhe politike në vend.
Rritja e anëtarësisë dhe përkrahjes, rriti edhe të hyrat dhe shpenzimet e Lëvizjes Vetëvendosje.
Legjislacioni në fuqi parasheh që partive politike në vend të u ndahet një shumë e caktuar nga buxheti i shtetit – sa më madhe partia aq më i madh buxheti.
Kështu, LVV në vitin 2021 pranoi 1 milion e 655 mijë e 326 euro nga kuleta e shtetit.
Por, këto nuk janë të hyrat e vetme për vitin 2021 për partinë më të madhe në vend.
Ligji për financimin e subjekteve politike u mundëson partive në vend që të pranojnë donacione në formë të të hollave dhe në formë të mallrave dhe shërbimeve.
Për vitin 2021, Vetëvendosje deklaroi se pranoi donacione dhe kontribute në të holla në shumën e përgjithshme prej 65 mijë e 140 euro.
Ndërsa, kontributet në natyrë në mall dhe shërbime, VV deklaroi se pranoi 4 mijë e 948 euro.
Të hyrat në total për vitin 2021, sipas deklarimit të LVV-së në KQZ kapin vlerën e 2 milionë e 105 mijë e 590 eurove.
Në anën tjetër, Vetëvendosje deklaroi edhe shpenzimet gjatë vitit të kaluar. Shuma e përgjithshme e shpenzimeve në formularin e deklarimeve kap shifrën e 2 milionë e 319 mijë e 460 euro.
Për paga dhe kompensime, Vetëvendosje tha të ketë shpenzuar 616 mijë e 936 euro. 43 mijë e 444 euro LVV shpenzoi për transport, sipas deklarimit ndërsa për reklama, reprezentacion dhe konferenca, 75 mijë e 898 euro.
Sipas deklarimit të LVV-së, shpenzimet e fushatës kapin shifrën e 1 milion e 319 mijë e 708 eurove.
Në listën që KQZ publikoi të donacioneve dhe kontributeve në të holla te partia Lëvizja vetëvendosje shihen të kenë dhuruar donacione anëtarët e partisë, biznese dhe qytetarë.
Në listë prej të parëve që ka dhuruar gjendet deputeti i kësaj partie, Mefail Bajqinovci. Sipas deklarimit, ai dha donacion prej 1 mijë e 500 eurove.
1 mijë e 627 euro, në deklarim e LVV, të dorëzuar në KQZ, shkruan se i dhuroi një person me emrin Fjolla Selmani nga Prishtina.
Deputeti i LVV-së nga Prizreni, Arbër Rexhaj, sipas raportit të publikuar ka dhunuar donacion prej 2 mijë eurove për partinë e tij.
Asllan Statovc sipas deklarimit dha 2 mijë euro, Milot Kelmendi 1 mijë e 700, ndërsa Dion Deva 1 mijë e 500 euro donacion për LVV-në.
Në këtë listë, është edhe një emër “GENTEX-1”, që raportohet nga Peja t’i ketë dhuruar 5 mijë euro donacion për Vetëvendosjen.
E gjithë lista e donacioneve është 65 mijë e 140 euro.
Ndërsa, kontributet në natyrë në mallra dhe shërbime, sipas raportit, LVV pranoi 15 mijë e 208 euro.
KQZ ka sqaruar se publikimi i këtyre raporteve është bërë pa u audituar.
“Duke pasur parasysh se ende nuk është bërë auditimi i këtyre raporteve, publikimi i tyre shoqërohet me tekstin sqarues: “Këto raporte financiare janë të paaudituara dhe mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit”” – thuhet në njoftim.
Pas përfundimit të procesit të auditimit nga auditorët e jashtëm, raportet e audituara do të publikohen në të njëjtën hapësirë në ueb faqen e KQZ-së.