Kurti: Në Kosovë ia vlen fort të mbjellësh, vjelësh e të korrësh

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, ka vizituar sot disa biznese që merren me kultivimin e produkteve bujqësore në Klinë e Istog.

Me anë të një postimi në Facebook,kreu i ekzekutivit ka thënë se Qeveria e Kosovës po ndihmon fermerët dhe po i mbështet ata.

Madje sipas tij, në Kosovë “ia vlen fort” të mbjellës e të korrësh.

Bashkë me ministrin Peci, Kurti ka vizituar qytetin e Klinës dhe Istogun nga ku ka dhënë detaje të prodhimtarive atje.

“Qeveria e Kosovës ndihmon e mbështet, kurse fermerët mbjellin, vjelin e korrin sepse në vendin tonë ia vlen fort”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit:

4 hektarë te fabrika, me 30 hektarë tokë pune, rreth 100 të tjera kontraktuar me fermerët dhe hambarë për 14.500 tonë. Prodhimi e shumëzimi, përpunimi e paketimi i farave bëhen me teknologjinë më të re digjitale, me ç’rast një linjë prodhimi për farat e grurit, elbit e tërshërës i nxjerrë deri në 10 tonë për orë. Agro Elita na sjell farë vendore për grurin tonë.

Bashkë me Ministrin e Bujqësisë Faton Peci e zëvendësin e tij Imri Demelezi, prej Klinës vazhduam për Gurrakoc të Istogut te prodhimi i boronicave në Berry K që kultivon në vazo dhe gjithë prodhimin e ka të kontraktuar për tregjet në Bashkimin Evropian. Investimi prej 300 mijë euro i angazhon mbi 20 punëtorë sezonal. Rendimenti mesatar në frytdhënie të plotë parashihet që të jetë 15 tonë për hektarë. Boronica në Kosovë i ka 70 kultivues në një sipërfaqe prej 115 hektarë me prodhim rreth 500 tonë. Për të shtatin vit me radhë, sivjet boronica jonë e freskët është eksportuar për Holandë. Të vjelurat tona janë së paku 20 ditë para konkurrencës kryesore në Evropën Lindore.

Qeveria e Kosovës ndihmon e mbështet, kurse fermerët mbjellin, vjelin e korrin sepse në vendin tonë ia vlen fort.