Kurti: Lista e pronarëve të vilave në Brezovicë ishte tronditëse, por jo befasuese!

Kryeministri i Republikës, Albin Kurti ka thënë se epokës së pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit në Kosovë po i vie fundi.

Kurti ka thënë se Qeveria e tij për një vit e gjysmë ka marrë veprime në luftën kundër korrupsionit e kontrabandës.

Ai është deklaruar edhe për aksionin “Brezovica”, ku janë sekuestruar qindra vila të ndërtuara pa leje, pronarë të cilave kanë qenë edhe politikanë e gjyqtarë.

Kryeministri deklaroi se lista e pronarëve të këtyre vilave ishte tronditëse, por jo befasuese.

“Lista e pronarëve të vilave në Brezovicë ishte tronditëse por jo befasuese, gjyqtarë, politikanë e të afërm të tyre. Epokës së pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit po i vie fundi”, ka thënë Kurti në hapje të Samitit të Ballkanit Perëndimor ‘’The Western Balkans Summit 2022’’, organizim i The Economist, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Kurti ka folur edhe për reformat në ekonomi, ku sipas tij investitorëve të huaj më nuk do u kërkohet pagesë, e bizneset kanë shtuar pagimin e tatimeve që sipas tij është rezultat i zbatimit të ligjit.

Kurt ka folur edhe për krizën me energji, ndërsa ka shtuar se Kosova si vend demokratik mund të ofrojë model në përballimin e krizave.

“Kosova mund të ofrojë model ku demokracia funksionale mund të ndihmojë qytetarët të përballen me kriza të ndryshme”, deklaroi ai.

Ai ka thënë se Kosova po përballet me krizë të madhe të energjisë më shumë se të gjitha vendet. Sipas Kurtit kjo vie edhe për shkak të mosinvestimeve në të kaluarën në fushën e energjisë që tash Kosova e ka bërë të varur nga importi.