Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada austriake me rastin e festës kombëtare të Austrisë, ku mbajti edhe një fjalë rasti.
Në adresimin e tij, Kurti falënderoi shtetin austriak për përkrahjen që ia ka dhënë Kosovës, në veçanti për faktin se qeveria e Austrisë, tha Kryeministri, e ka futur në programin e saj qeverisës liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Kosova ka marrë shumë nga kjo mbështetje dhe prandaj ka arritur shumë. Këto arritje janë kryesisht për shkak të aleatëve në Austri. Falënderojmë udhëheqjen e Austrisë, veçanërisht qeverinë aktuale, e cila ka përfshirë liberalizimin e vizave për qytetarët tanë në programin e saj qeverisës”, tha kreu i shtetit.
Ai ka përmendur edhe bashkëpunimet Kosovë-Austri në fushën e tregtisë, duke thënë se edhe investimet po rriten.
“Kompanitë austriake renditen ndër investitorët më të mëdhenj në Kosovë, si në shërbime ashtu edhe në banka, sigurime dhe energji të ripërtritshme.”
Krejt në fund, Kryeministri Kurti falënderoi përzemërsisht ambasadorin Weidinger “për diskutimet dhe bisedat që kemi pasur krahas kafes, verës dhe drekave”, duke u treguar mirënjohës për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.