Kurti e Peci ‘inspektojnë’ cilësinë e grurit në fabrikën private

Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci kanë qëndruar sot në Klinë e Istog, ku kanë vizituar bujq e ndërmarrës të bujqësisë.

Dy qeveritarët kanë vizituar edhe fabrikën për prodhimin, përpunimin dhe paketimin e farës së grurit, elbit dhe tërshërës “Agroelita”, ku kanë pasur rastin edhe ta prekin me duart e tyre grurin që përpunohet nga fabrika.

Kurti e Peci kanë vënë nënshkrimet e tyre edhe në thasët me miell, që ishin të gatshëm për shitje në treg nga fabrika.

“4 hektarë te fabrika, me 30 hektarë tokë pune, rreth 100 të tjera kontraktuar me fermerët dhe hambarë për 14.500 tonë. Prodhimi e shumëzimi, përpunimi e paketimi i farave bëhen me teknologjinë më të re digjitale, me ç’rast një linjë prodhimi për farat e grurit, elbit e tërshërës i nxjerrë deri në 10 tonë për orë. Agro Elita na sjell farë vendore për grurin tonë”, ka njoftuar Kurti.