Bloomberg: Evropa tani ka më shumë gaz sesa që ka nevojë

Pasi importet e gazit rus, në të cilat Evropa është mbështetur prej kohësh, u shkurtuan, liderët evropian nxituan të blinin gaz natyror nga e gjitha bota për të mbushur depozitat.

Tani, për shkak të një kombinimi të motit jashtëzakonisht të ngrohtë dhe lulëzimit të tregtisë, magazinat janë pothuajse plotësisht të mbushura, edhe para se shumë qytetarë të ndezin ngrohëset, transmeton Telegrafi.

Pati gjithashtu rënie të ndjeshme në çmimet e gazit, të cilat tani janë më pak se një e treta e asaj që ishin gjatë pikut të verës. Në përgjithësi, Evropa tani ka më shumë gaz sesa mund të përdorë, shkruan Bloomberg.

Sigurisht, një periudhë e rrezikshme është akoma e mundur. Shumë varet nga moti, kurse i ftohti ekstrem mund ta shtyjë Evropën të arrijë në furnizimet e saj në një kohë të shkurtër.

Qeveritë gjithashtu kanë frikë nga sabotimet shtesë të termocentraleve, të cilat mund të ndikojnë në treg. Megjithatë, sidoqoftë, situata në Evropë gjatë tetorit sa i përket gazit, është shumë më e mirë nga sa mund të kishin shpresuar politikanët.

Furnizimi me gaz nga Rusia ka ardhur duke e ulur ngadalë që nga viti i kaluar. Fluksi në tubacionin kryesor të gazit Nord Stream, u pezullua për një kohë këtë verë edhe para shpërthimeve.

Kushtet e buta të motit janë ideale për momentin për kërkesë të kufizuar, por udhëheqësit evropianë shqetësohen se çmimet më të ulëta të gazit, krahasuar me çmimet e verës, mund të nxisin konsum më të lartë me uljen e temperaturave.

“Rezervat e gazit evropian pritet të zgjasin të paktën deri në dhjetor. Nuk ka gjasa që një periudhë më e gjatë e të ftohtit të mund të godasë Evropën në nëntor”, tha Giacomo Masato, analist dhe meteorolog në kompaninë italiane të energjisë Illumia.

Megjithëse çmimet e gazit tani janë afër nivelit më të ulët që nga qershori, rreziku i tregut mbetet akoma. Konkretisht, kontratat e së ardhmes për muajin shkurt tregtohen me premi prej 44 për qind krahasuar me muajin nëntor, ndërsa kostot për dimrin e ardhshëm janë gjithashtu më të larta; duke treguar se mund të ketë akoma probleme me furnizimin. E gjithë kjo do të thotë se kërkesa e reduktuar për gaz mbetet e rëndësishme, pavarësisht apelit për çmime më të ulëta.

Kompania konsulente Timera Energy, thekson se kërkesa e reduktuar për gaz gjatë vitit 2002, është vlerësuar në rreth 7-9 për qind, dhe është shkaktuar “kryesisht nga mbyllja e konsumatorëve të mëdhenj industrialë”. Megjithatë, sipas tyre, është më pak se 15 për qind e asaj që synonte BE-ja.

“Aftësia e Evropës për të menaxhuar krizën paralele të energjisë dhe gazit gjatë dy viteve të ardhshme, varet shumë nga efikasiteti i saj në uljen e kërkesës. Kriza akoma nuk ka përfunduar”, shkruajnë analistët e Timera.

Evropa arriti të mbushë magazinat e saj në 93.6 për qind dhe Gjermania në 97.5. Ndërkohë që kjo ofron një lehtësim, në Gjermani ky furnizim është i mjaftueshëm vetëm për dy muaj kërkesë gjatë motit të ftohtë, kështu që BE-ja duhet akoma të blejë gaz.

Vendet evropiane blenë shumë gaz gjatë verës për të mbushur depot dhe për të siguruar që kërkesat e dimrit të mbulohen. Sipas objektivit fillestar, niveli i gazit në magazinë duhej të ishte 80 për qind deri më 1 nëntor, por ky objektiv u tejkalua shumë.

Por ndërsa LNG-ja vazhdon të arrijë, kërkesa për kapacitet të gazit mbetet e lartë. Nuk ka shumë prej tyre në Evropë, pjesërisht sepse kontinenti është mbështetur prej kohësh në gazin që arrinte nëpërmjet tubacioneve nga Rusia.

Prandaj, anijet po qëndrojnë në radhë para terminaleve të gazit. Gjermania dhe Holanda kanë investuar në kapacitete të reja dhe disa prej tyre pritet të fillojnë funksionimin pas disa muajsh.

Megjithëse blerësit në pjesë tjera të botës mund të marrin përsipër një pjesë të ngarkesave të saj, Evropa mund të përfitojë gjithashtu nga furnizimi i tepërt i LNG-së që lundron nëpër brigje.

“Është një gjë e mirë që anijet janë duke pritur, sepse në mënyrë racionale dëshironi të keni gaz në majën e gishtave nëse për atë keni nevojë”, thonë analistët.

Problemi i vetëm është se ka shuma të mëdha në lojë. Për shkak të kërkesës për gaz, disa vende kanë paguar tashmë shuma marramendëse për ta marrë atë.

Gjermania shpenzoi 49.5 miliardë euro për importet e gazit nga janari në gusht, citon BBC përllogaritjet e Reuters. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, importi kushtoi 17.1 miliardë euro. /Telegrafi/