Zëvendës kryeministrja dhe ministrja e energjetikës dhe minierave në qeverinë e tanishme serbe, Zorana Mihajlovic, në shpjegoi sot se pse nuk do të jetë në qeverinë e re të Serbisë. Ajo shpjegoi se si pro-perëndimore ishte pakicë në partinë e Vucic, Partia Progresive e Serbisë, transmeton Gazeta Metro.
Ajo qartë ishte e emocionuar kur theksoi se për të do të jetë më lehtë të mos i shikojë më njerëzit “tek keqpërdorin partinë për t’u pasuruar’, dhe me siguri atyre do t’iu vijë më lehtë që të mos e dëgjojnë më t’ua thotë atyre këtë. Ajo nuk u sqarua për statusin e saj në parti tani për tani por shtoi se do të mbetet në politikë.
“Presidenti e di shumë ku duhet të shkojmë dhe çfarë vendime të marrim. Unë atje isha në pakicë si dikush që angazhohet që Serbia të jetë në Perëndim e jo në Lindje, por kjo nuk do të thotë se ne që jemi në pakicë nuk kemi të drejtë. Nuk e di sa pro-evropian është qeveria jonë e re, por është pro-serbe. E sa për planet e mia konkrete do të presim disa muaj” tha ministrja.
Ajo shtoi se do të mbetet në politikë dhe se do të vazhdojë të veprojë në fushën e energjetikës ekonomisë dhe integrimin. Ajo shtoi se konsideron se Serbia e ka vendin në Evropë dhe BE, dhe se gjithmonë do të “luftojë që Serbia të jetë perëndimore, e jo lindore”.
Mihajlovic ka qenë e zëshme në qëndrimet e saj dhe ka pasur zënka me kolegët e saj në ekzekutivin e Serbisë. Së fundi me ministrin e punëve të brendshme Aleksandar Vulin, të cilin e quajti hipokrit pasi “qëndron në qeverinë serbe që ka prioritet anëtarësimin në BE, e flet se nuk duhet të jetë”. Vulin i ishte përgjigjur se ‘ajo qenka hidhëruar se nuk do të zgjidhej kryeministre’.
Para një muaji gazeta serbe Danas kishte shkruar se Partia Progresive e Serbisë do të transformohet në një format që do të ketë theks në orientimin ‘as perëndimi as Rusia por interesi serb’ që me vete do të bartte edhe konfliktin me rrymën pro-perëndimore në parti e të parën në radhë ministren e tanishme të minierave dhe energjetikës, Zorana Mihajlovic.
Mihajlovic është anëtare e partisë së Vucic që nga 2010’ta, ndërsa në qeveri ishte zgjedhur si ministre e energjisë dhe mbrojtjes më 2012’në./gazetameetro.net