Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim të Dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.
Ndër të tjera, ata diskutuan për njohjen reciproke dhe zbatimin e udhërrëfyesit për energji.
Zyra e Kryeministrit bëri të ditur se Sir Stuart Peach ritheksoi përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor, si dhe për nismat për bashkëpunim rajonal.
Duke theksuar rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, Kryeministri Kurti ritheksoi synimin dhe angazhimin e Qeverisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Lidhur me invazionin dhe agresionin ushtarak rus në Ukrainë, u theksuan pasojat ekonomike dhe energjetike të agresionit rus. Kryeministri Kurti e njoftoi emisarin Peach për masat e ndërmarra nga Qeveria, në mbështetje të qytetarëve, nëpërmjet Pakos për Përballje me Inflacionin si dhe asaj të Ringjalljes Ekonomike”, thuhet në komunikatë.
Tutje, bëhet e ditur se në këtë takim u diskutua edhe për bashkëpunimin rajonal dhe Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, përcjell Klankosova.tv.
“U bisedua për bashkëpunimin rajonal dhe Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Po ashtu, u fol dhe për Samitin e Ballkanit Perëndimor “The Western Balkans Summit 2022”, organizim i The Economist, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, që do të mbahet nesër në Prishtinë”, thuhet tutje në njoftim.