Profesori Milazim Krasniqi, ka thënë se ata që nuk duan të formojnë Bashkësinë e Komunave Serbe, sipas marrëveshjes së ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, sigurisht të përmirësuar në bazë të gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese, duan shpërbërjen e shtetit të Kosovës, me luftë civile dhe me izolim ndërkombëtar të saj.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se opozita duhet të thërras seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, ku qeveria të tregojë se çka po planifikon të bëjë më 1 nëntor 2022 në veri.
Ai ka paralajmëruar se nëse nuk pranohet propozimi i Escobarit (SHBA) dhe BE-së për një moratorium disamujor për targat, rreziku i konfliktit të armatosur është i madh.
Postimi i tij i plotë:
Një sqarim i ripërsëritur për idiotët politikë kronikë
Kosova është e ndarë de fakto që nga qershori i vitit 1999 e deri sot. Veriun e saj e kontrollojnë serbët lokalë me struktura paralele dhe Serbia me financimet e saj në arsim, në shëndetësi, në administratë lokale, etj. Asnjë përpjekje e derisotme për riintegrim, qoftë e dhunshme si ajo e vitit 2004 ose politike, nuk ka pasur sukses deri sot. As nuk mund të ketë. Kush nuk e pranon këtë realitet edhe pas 23 vitesh, vazhdon të mbetet idiot politik. Ose edhe më keq, mund të ketë qëllime të errëta. Prandaj e vetmja mënyrë që veriu të riintegrohet është me formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, si proces i negociuar në Procesin e Brukselit dhe me asistencën e SHBA-së.
Opsionet e tjera janë: konflikti i armatosur, i cili e legalizon copëtimin e vendit dhe izolimi i Kosovës nga komuniteti ndërkombëtar, i cili e bën tërë Kosovën shtet të dështuar. Prandaj, ata që nuk duan të formojnë Bashkësinë e Komunave Serbe, sipas marrëveshjes së ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, sigurisht të përmirësuar në bazë të gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese, duan shpërbërjen e shtetit të Kosovës, me luftë civile dhe me izolim ndërkombëtar të saj. Këtë gjë të thjeshtë nuk e kuptojnë vetëm idiotët politikë, veçmas ata të barrikaduar në presidencën dhe në qeverinë e Kosovës.
Po opozita çka duhet të bëjë? Si minimum, do të duhej të ftohej seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku qeveria duhet të tregojë se çka po planifikon të bëjë më 1 nëntor 2022 në veri. Nëse nuk pranohet propozimi i Eskobarit (SHBA) dhe Bashkimit Evropian për një moratorium disamujor për targat, rreziku i konfliktit të armatosur është i madh. Pra, kur qeveria ndjek politikën e konfliktit, siç po bën qeveria Kurti, opozita e ka për detyrë ta denoncojë politikën e konfliktit.