A është aksionar i FC Prishtinës, Afrim Muçiqi: Drejtori i klubit jep detaje për Metron, flet edhe Muçiqi
Këngëtari i njohur kosovar, Afrim Muçiqi sipas drejtorit të klubit të Prishtinës, Artan Osmani i ka shitur aksionet e tij te aksionari më i madh në klub, Rrahman Haradini. Osmani në një prononcim për Gazeta Metro tregoi pse nuk është larguar ende nga Agjensioni i Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK).
Pas deklaratave të Muçiqit në emisionin ‘Kendiv’ në T7 ku tha se mbetet aksionar i klubit dhe theksoi se trajneri Ismet Munishi nuk është i duhuri për klubin bardh e kaltër.
Klubi i Prishtinës mbrëmë reagoi përmes një postimi në Facebook, duke thënë ndër të tjerash: ”Ylli i mikrofonit ka të drejtë të flas për klubin, por vetëm si tifoz i ekipit nëse ndjehet i tillë, e jo si pjesë e jona.
Kujtojmë se Muçiqi i ka shitur aksionet e tij te aksionari tjetër në klub, Rrahman Haradini, me ç’rast së shpejti do të përkthehen edhe në ARBK.”
Për Gazeta Metro lidhur me këtë situatë të krijuar ka folur drejtori i kryeqytetasve, Artan Osmani. Ai tha se gjatë javës do të dërgojnë kontratat në ARBK me statutin e përditësuar.
”Po e kemi shpjeguar edhe në reagimin zyrtar të klubit që në bazë të kontratës që kemi në administratë të klubit aksionet e tij i janë shitur Rrahman Haradinit. Gjatë javës do të dërgojmë kontratat me statutin e përditësuar në ARBK për të bërë ndryshimet formale,” tha ai.
Osmani më tutje tregoi arsyen pse nuk e kanë dërguar ende në ARBK përditësimin me aksionarët e rinj. Drejtori menaxhues thotë se kanë pritur deri sa të bëhen edhe ndryshime të tjera në statut.
”Jo nuk ka të bëjë me ARBK, por ne si administratë nuk i kemi dërguar sepse priten edhe ndryshime tjera në statut dhe nuk kemi dashur që ta dërgojmë pa u finalizuar statuti i ri,” përfundoi ai për Gazeta Metro.
Gazeta Metro ka kontaktuar gjithashtu me Afrim Muçiqin nëse i ka shitur aksionet apo është ende aksionar i Prishtinës. Ai shkurtimisht u përgjigj: ”Mund ta shikoni në ARBK nëse jam apo jo.” /gazetametro.net