Në këtë aksion janë përfshirë edhe dy vëllezër nga Prishtina Gëzim dhe Salih Sinani, të cilët po dyshohen për veprën penale të fajdesë. Gëzim Sinani dyshohet për veprat penale “Dhënia e ryshfetit në ndihmë”, “Ushtrim i ndikimit” dhe “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, e gjithashtu edhe bashkë më vëllain e tij Salihun dyshohen edhe për veprën penale të fajdeve.
“Ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2019 në Brezovicë Komuna Shtërpcë, ka ndihmuar personin tjetër në kryerjen e veprës penale “Dhënia e ryshfetit”, në atë mënyrë që ia ka dhënë 20,000 (njëzet mijë euro) ndërmjetësuesit, tani dëshmitar bashkëpunues, me qëllim që t’ia japë të pandehurit Bratislav Nikoliq, që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, për të siguruar një leje ndërtimore për një objekt hotelier në vikend zonën e Brezovicës, pronë e të pandehurit Xhevdet Shala, kurse i ka premtuar se do t`i japë edhe 50,000 (pesëdhjetë mijë euro) të tjera pasi të sigurohet leja ndërtimore”- thuhet në kërkesën e Prokurorisë për veprën e parë dhe të dytë.
Gëzim dhe Salih Sinani po ashtu dyshohen për veprën penale të “Fajdesë”. “Ekziston dyshimi i bazuar se nga fillimi i muajit maj të vitit 2020, në Prishtinë, Podujevë, Ferizaj dhe vendet tjera të Kosovës, në bashkëkryerje, në vazhdim kanë kontraktuar shuma jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimeve për personin tjetër të dëmtuarin Xhevdet Shala, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare, për shkak të pandemisë nga Covid-19, në atë mënyrë që i dëmtuari i cili ushtronte veprimtarinë afariste në gastronomi, e cila ishte goditur më së shumti nga pandemia, fillimisht ka marrë një sasi betoni nga ndërmarrja “Ima sh.p.k” pronë e të pandehurit Gëzim Sinani, për një projekt ndërtimor, mirëpo edhe ky biznes ishte goditur nga pandemia, kështu që i pandehuri Gëzim i ofron për t`i shitur armaturë, e cila vlerë vetëm gjatë vitit 2020 arrin shumën 500,000 (pesëqind mijë) euro, me një kamatë prej 2,500 (dymijë e pesëqind) euro në muaj, për një kamion, mirëpo i dëmtuari në pamundësi që ta paguajë kamatën detyrohet të marrë para me fajde nga i pandehuri Salih Sinani, në shumë prej 20,000 (njëzet mijë) euro, për të cilën duhej të paguajë vetëm kamatë, 2,000, (dymijë) euro në javë, e pastaj Gëzimi i ofron edhe 50,000 (pesëdhjetë mijë) euro për t`i paguar borxhet për të cilën shumë i dëmtuari paguan 10,000 (dhjetë mijë) euro për dy javë”- theksohet në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga kallxo.
Akuzohen për falsifikim të dokumenteve
Ndërkaq dy të dyshuarit, Shukri Shabani dhe Sami Sinani, dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit” duke punuar si persona zyrtarë-anëtarë të Komisionit për vlerësimin e kushteve për dhënien e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve ujore.
“Ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2014 deri në vitin 2019, si persona zyrtarë-anëtarë të Komisionit për vlerësimin e kushteve për dhënien e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve ujore, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim të përfitimit pasuror për personat tjerë, në atë mënyrë që me rastin e vlerësimit të kërkesave për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve ujore, për objektet ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”- vikend-zona e Brezovicës, Komuna Shtërpcë”- thuhet në dosjen e Prokurorisë që rëndon ndaj tyre. Tutje në dosje theksohet e të dyshuarit duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjit për Ujërat e Kosovës dhe Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës, kanë dhënë vlerësime pozitive për objektet hoteliere “Stella Consulting” me pronar Gentjan Sula, “Kaona Hotel” me pronare Sanije Geci, dhe “Rimida” me pronar Rijad Hasani, si komplekset e vikend-shtëpizave të “Stella Consulting” me pronar Gentjan Sula, dhe kompleksin e vikend-shtëpizave të Lagjes “D” me pronar Rijad Hasanin, edhe pse e kanë ditur që objektet nuk i plotësonin kushtet ligjore për lëshimin e pëlqimit mjedisor dhe pëlqimit ujor, që është kusht për marrjen e leje-ndërtimeve, kurse objektet ishin ndërtuar pa pëlqim mjedisor dhe pa pëlqim ujor, duke degraduar natyrën dhe mjedisin në Parkun Kombëtar Sharri”- thuhet në kërkesën e Prokurorisë së Ferizajt për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarve. Shukri Shabani dhe Sami Sinani po ashtu dyshohen edhe për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve zyrtare”.