I arrestuari tjetër në këtë aksion është edhe Gani Berisha U.D. i Udhëheqësit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore. I dyshuari Gani Berisha, si person zyrtar dyshohet për veprën penale në bashkëkryerje “Marrja e ryshfetit”.
“Ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2019 në Prishtinë si persona zyrtar dhe atë i pandehuri Gani Berisha – drejtor i departamentit të pellgjeve ujore në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kurse i pandehuri Arben Çitaku – Sekretar i përgjithshëm i kësaj ministre, në mënyre të drejtpërdrejtë kanë marrë para me qëllim që të veprojnë në kundërshtim me detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që përmes një zyrtari të kësaj ministrie i pandehuri Gani ka marrë 10.000 (dhjetë mijë) euro, prej të cilave 7.000 (shtatë mijë) euro për të pandehurin Arben Çitaku, për të mundësuar marrjen e pëlqimit ujor për ndërtimin e një ure mbi lumin “Murzhica”, i cili do të shërbente për objektet e ndërmarrjes “Stella Consulting” dhe objektin hotelier “Rimida”, e të cilin pëlqim e kishte përgatitur i pandehuri Gani Berisha dhe ia kishte dorëzuar për nënshkrim të pandehurit Arben Çitaku, i cili pëlqim ishte lëshuar në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës” – thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Duke qenë në këtë pozitë, Berisha ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Ai ka deklaruar se posedon truall në vlerën 10 mijë euro, tokë bujqësore në vlerën 180 mijë euro, shtëpi 40 mijë euro dhe banesë në vlerë 51 mijë euro. Berisha deklaron se posedon një veturë Audi Q5 në vlerën 13 mijë euro dhe një tjetër në emër të bashkëshortes në vlerën mbi 5 mijë euro. Ai deklaron se është aksionar në një biznes privat me 60% të aksioneve me vlerë 6 mijë euro. Para të gatshme ka deklaruar mbi 20 mijë euro, ndërsa si borxhe rreth 50 mijë euro. Paga e tij vjetore e deklaruar kalon vlerën mbi 7 mijë euro, ndërsa mbi 4 mijë euro janë të hyrat e bashkëshortes.