Dy nga çështjet bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë dhe ndër më problematiket kanë të bëjnë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe me ndërrimin e targave ilegale të veturave në veri të Kosovës.
Formimi i një asociacioni prej dhjetë komunash me shumicë serbe në Kosovë është paraparë me një marrëveshje të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, në vitin 2013.
Në vitin 2015, ndërkaq, palët kanë arritur një marrëveshje mbi parimet për krijimin e këtij asociacioni. Por, ajo nuk është zbatuar asnjëherë, pasi, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka pasur elemente që bien në kundërshtim me Kushtetutën.
Që nga ajo kohë, BE-ja ka përsëritur vazhdimisht qëndrimin se Kosova dhe Serbia duhet t‘i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe atë për Asociacionin. Kjo është kërkesë e vazhdueshme edhe e SHBA-së.
Megjithatë, Qeveria e Kosovës është kundër një asociacioni njëetnik, ndërsa Serbia këmbëngul që ai të formohet dhe kërkon që të ketë kompetenca ekzekutive.
Joseph mendon se fjala kyçe në këtë çështje është sekuenca (rendi i veprimeve) e jo përmbajtja (si duket Asociacioni).
Ai mendon se është obligim i Kosovës zbatimi i kësaj marrëveshjeje, por shton se “nuk mund të finalizohet statusi i serbëve të Kosovës pa pasur në të njëjtën kohë një finalizim të marrëdhënies mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Në esencë, ekziston një pozicion i armiqësisë aktive nga Serbia për Kosovën. Nuk mund të kesh një fqinj armiqësor dhe në të njëjtën kohë të zgjidhet statusi i serbëve të Kosovës, që kontrollohen nga Serbia përmes Listës Serbe [subjektit më të madh politik të serbëve në Kosovë]”, thotë Joseph.
Në veri të Kosovës, ndërkohë, serbët kanë edhe më pak se dhjetë ditë kohë për t’i riregjistruar makinat e tyre me targa që i lëshon Kosova.
Që nga paslufta, më 1999, ata vozisin makina me targa që i lëshon Serbia, e që nga Kosova konsiderohen si të paligjshme.
Qeveria e Kosovës ka dhënë dy muaj kohë për riregjistrimin e makinave, nga 1 shtatori deri me 31 tetor.
Meqë kjo çështje, më herët, ka qenë burim i tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, Escobar tha se ka kërkuar shtyrjen e afatit të riregjistrimit për rreth dhjetë muaj.
Joseph mendon se kjo kërkesë, qoftë nga SHBA-ja apo BE-ja, është e padrejtë t’i bëhet Kosovës, pa e balancuar me një kërkesë për sundimin e ligjit në veri.
“Problemi është që po shpërblehen ata që krijojnë jostabilitet. Nuk mjafton që SHBA-ja dhe BE-ja vetëm t’i kërkojnë shtyrje Kosovës. Problemi nuk është [vetëm] të shmanget dhuna në veri, por sundimi i ligjit në Kosovë, përfshirë veriun, dhe adresimi i strukturave kriminale në veri”, thotë Joseph.
Në veri të Kosovës, me vite, funksionojnë struktura paralele që financohen nga shteti serb.
Rikujtojmë se në lidhje me kërkesën për shtyrje të riregjistrimit, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka për obligim “zbatimin e ligjit, kushtetutshmërinë dhe vendimt qeveritare”.