Kurti pret kryediplomaten gjermane: Të mos ketë kushte shtesë për liberalizimin e vizave

Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, mirëpritën ministren e Shtetit për Evropë dhe Klimë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Anna Lührmann.

Në këtë takim, të dytin pas atij në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt të këtij viti, kryeministri Kurti dhe ministrja e Shtetit, Lührmann folën për bashkëpunimin me Gjermaninë në kuadër të agjendës së Kosovës për integrim evropian, për tregun e përbashkët rajonal si pjesë e Procesit të Berlinit, aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, energjinë dhe çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët.

Kryeministri Kurti e njoftoi ministren Lührmann për performancën ekonomike dhe demokratike të vendit në 18 muajt e fundit.
Në lidhje me çështjen e liberalizimit të vizave, kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi, falënderuan Gjermaninë për ndihmën, mbështetjen dhe qëndrimin tyre se liberalizmin i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të ndodhë dhe pa ndonjë kusht shtesë.

Ata folën edhe për energjinë si çështje me shqetësim për të gjithë kontinentin e Evropës.