Një ndryshim në “qasje dhe mendësi” për dialogun Kosovë-Serbi nga faktori ndërkombëtar, mund të çojë në njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së që ende s’e njohin, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë profesori Edward P. Joseph, nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington.
Sipas tij, ka përpjekje serioze që Kosova të sigurojë njohjen nga pesë shtetet e BE-së: Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.
Ai thotë se një sinjal për këtë është edhe deklarata e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë televizionit Kanal 10 më 19 tetor, se “njohja nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së është më e rëndësishmja që Kosova mund të marrë nga cilido proces”.
Në të njëjtën kohë, shton Joseph, “kemi raportime të pakonfimuara, por raportime se propozimi franko-gjerman vendos në qendër njohjen e Kosovës nga shtetet jonjohëse të BE-së”.
Ky propozim, në të cilin thirret Joseph, qarkullon në mediat në Kosovë tash e një muaj dhe thuhet se ka për qëllim të lehtësojë zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Mes tjerash, propozimi parasheh që Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në këmbim të anëtarësimit më të shpejtë në BE.
Propozimi, sipas raportimeve, nuk përmend njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë, por njohjen e Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar se ajo nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.
Joseph thotë se pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, deri më tani, i kanë dhënë një avantazh apo fuqi të padrejtë Serbisë për të bllokuar Kosovën në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
“Kur ia largon fuqinë Serbisë, krijon mundësinë për atë që të gjithë e duan. Një negociatë të drejtë (të balancuar). Askush nuk dëshiron ta poshtërojë Serbinë, por qëllimi është një negociatë e drejtë”, thotë Joseph për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se këto njohje do ta përfundonin “lojën e Aleksandar Vuçiqit”, president i Serbisë, i cili, siç thotë Joseph, pretendon se “dëshiron kompromis të drejtë me Kosovën” dhe se “është partner i Perëndimit”.
“(Kur të arrihet njohja nga pesë vendet e BE-së) njohja e Serbisë do të jetë e pashmangshme dhe më pak e rëndësishme”, thotë Joseph.
Qasja e re në dialog
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së, kanë nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.
Kosova insiston që marrëveshja përfundimtare me Serbinë ta ketë njohjen reciproke në qendër, por Serbia kundërshton.
Në javët e fundit, në Kosovë dhe Serbi ka pasur vizita të shpeshta të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së, me qëllim të diskutimit të dialogut.
Joseph thotë se këto vizita sinjalizojnë një ndjesi urgjente për ndryshimin e qasjes karshi këtij procesi.
Kurti flet për liberalizimin e vizave, propozimin franko-gjerman dhe dialogun
Kjo qasje e re në dialog, thotë ai, është propozuar edhe në një raport analitik, të publikuar nga Instituti për Politika të Jashtme dhe Qendra Wilson në Uashington, në janar të këtij viti.
Në këtë raport, ku ka edhe autorë nga Ballkani, thuhet se “njohja e Republikës së Kosovës nga shtetet mosnjohëse do ta transformonte dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës të udhëhequr nga BE-ja”.
Sipas këtij raporti, një lëvizje e tillë do të ndikonte në stabilitetin e gjithë rajonit të Ballkanit.
Ky raport, po ashtu, përshkruan disa hapa se si një strategji e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, do të mund të siguronte njohjet e kërkuara, duke punuar së pari me Greqinë.
Joseph thotë se ka sinjale që kjo mendësi karshi dialogut Kosovë-Serbi vjen nga administrata e presidentit aktual të SHBA-së, Joe Biden.
“Ky është një ndryshim shumë i madh në perceptim dhe pozicion nga Shtetet e Bashkuara dhe administrata Biden”, thotë Joseph.
Sipas tij, “është krejtësisht e mundur” që hapa konkretë drejt këtij plani, të ndodhin në një të ardhme të afërt.
Joseph shton se SHBA-ja ka filluar ta ndërlidhë situatën mes Kosovës dhe Serbisë me “situatën e mjerë në Evropë”, që ka shkaktuar pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Ai përmend faktin se Serbia është ndër vendet e vetme në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.
“Duhet të largohen iluzionet se [Aleksandar] Vuçiq është partner [i Perëndimit] apo se Serbia është në anën e duhur të historisë”, thotë Joseph.