Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE. Ndër pikat e shumta që ka folur në këtë mbledhje, një moment të veҫant ia ka kushtuar edhe ish deputetit të kësaj partie, Rexhep Selimit.
Selimi aktualisht ndodhet në Hagë me akuzat rreth krimeve që kanë ndodhur në periudhën e gjatë dhe pas luftës, bashkë me bashkëluftëtarët e tjerë, si Hashim Thaҫi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi.
Kurti në fjalen e tij për Selimin tha se, akuza të padrejta janë bërë ndaj tij dhe të tjerëve, ndërsa thotë se UÇK-ja ishte dhe është e drejtë dhe do të dalë e pastër.
“Rexhep Selimi, aktivisti ynë, deputeti në Kuvendin e Repulikës, gjenerali i UÇK-së, që e kishim anëtar kryesie, e kishim edhe kryetar të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të cilin kemi shumë krenari dhe mall, paçka se çmallemi kur kontaktojmë me të. Por jam i sigurt se shpejt do ta kemi sërish, teksa urojmë që të lirohet nga ato akuza të pabaza që i janë bërë atij dhe të tjerëve. UÇK-ja ishte dhe është e drejtë dhe do të dalë e pastër, edhe nga gjyqet e imponuara padrejtësisht nga politikanë të cilëve u mungonte largpamësia”, thotë Kurti.
Postimi i plotë i Albin Kurtit në Facebook:
Fjala ime në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!:
Të nderuar delegatë,
Të dashur aktivistë,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Mirë se keni ardhur në këtë mbledhje të 49-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE.
Kjo është një mbledhje e veçantë dhe shumë e rëndësishme, sepse sot në këtë mbledhje do të zgjedhet kryesia e katërt që do të drejtojë Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Qysh prej vitit 2011, atëherë kur e patëm mbajtur mbledhjen e parë të Këshillit të Përfgjithshëm, saktësisht me 25 qershor 2011, kanë kaluar mbi 11 vite prej atëherë, dhe çdo katër vite ne kemi zgjedhur organet e reja, sipas ligjit e sipas frymës demokratike. Në Kosovë qeveritë qendrore janë ndërruar më shpesh, por në kryesitë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ne kemi patur stabilitet gjithmonë. Edhe në raste kur kemi patur përndjekje të padrejtë si opozitë që kemi qenë, edhe në rastet kur kemi patur sabotime, kemi arritur gjithmonë të shërojmë problemet, të ndreqim dëmtimet, dhe të ecim përpara sipas mandatit e me përgjegjësi të plotë. Jam i bindur se edhe kryesia e re, që do ta zgjedhim këtu së bashku sot, do të ecë përpara me punë, përgjegjësi e sukses, për një mandat të plotë katër vjeçar.
Por le të kthehemi pak në të shkuarën, dhe le ta vlerësojmë punën e mirë të kryesisë e cila sot po e dorëzon mandatin. Mjaftojnë pak shifra për të na e rikujtuar përshtypjen e punës së rëndësishme që e ka bërë organizata, nën drejtimin e kryesisë e cila pra sot po e përfundon mandatin e saj. Unë u zgjodha kryetar në mbledhjen e 32-të të KP, në shkurt të vitit 2018. Kryesia u plotësua në maj të vitit 2018, në mbledhjen e 33-të asokohe. Prej atëherë, janë mbajtur edhe 16 mbledhje të tjera të KP, duke vazhduar të mblidhemi rregullisht edhe gjatë pandemisë, kuptohet, online në ato kohëra të vështira.
Në 21 janar 2018 Lëvizja i ka pasur 29.633 anëtarë. Në atë kohë ju e mbani mend, pati një sërë dorëheqje në nivele të larta të organizatës dhe të grupit parlamentar. Sot ja ku jemi, pas katër vitesh, Lëvizja i ka 59.882 anëtarë, të regjistruar e të verifikuar. Pra kemi patur dyfishim të anëtarësisë.
Në qershor 2018 Lëvizja i ka patur 307 pika, ndërsa sot i ka 485 pika, në të gjithë Kosovën anembanë, që do të thotë se për katër vite janë shtuar 178 pika të reja.
Gjatë katër viteve të shkuara i kemi patur disa momente kulmore. Në shtator të vitit 2018 në Prishtinë është mbajtur protesta më e madhe në Kosovën e pasluftës, me sloganin «Një popull s´i nënshtrohet një njeriu». Në pranverën e vitit 2019 e kemi patur fushatën masive në të gjithë Kosovën, kundër PAN-Hajnisë.
Në tetor të vitit 2019 dolëm të parët në zgjedhje, dhe në shkurt të vitit 2020 e krijuam qeverinë e parë të udhëhequr nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, qeveria Kurti 1 siç po e quajnë ata që kanë qejf të numërojnë. Kjo qeveri nuk zgjati shumë sepse na qëlloi partneri jo i qëndrueshëm për interesa shtetërore e kombëtare. Por, gjatë atyre muajve që qëndruam në drejtim, e luftuam drejtpërdrejt korrupsionin, e mbrojtëm Kosovën, duke hequr nga bordet ata që s´e meritonin, duke rezistuar suksesshëm projektin për shkëmbim territorial, dhe duke vendosur gjithandej profesionistë të ndershëm e duke e afruar popullin i cili e donte Republikën më shumë se çkado tjetër. Në shkurt të vitit 2021, fituam sërish zgjedhjet, kësaj radhe me një rezultat historik, që nuk ka precedent në Kosovë. E sot e kemi qeverinë sërish nën drejtimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në aleancë me Guxo e Alternativën, që po e quajnë qeveria Kurti 2, ata që kanë qejf të numërojnë. Nuk do t´ua prishim qejfin, nuk do t´ua ndalim numërimin.
Natyrisht, ka pasur edhe momente jo fort të mira, siç ka qenë psh. performanca në zgjedhjet lokale sa i përket komunave që udhëheqim, meqenëse ne i fituam për kryetarë vetëm katër sosh. Gjilanin me Alban Hysenin, Besianën (Podujevën) me Shpejtim Bulliqin, Shtimen me Qemajl Aliun dhe Kamenicën me Kadri Rrahimajn. Për këto ne kemi diskutuar gjatë në mbledhjet e KP, në mbledhjet me qendrat e Lëvizjes sonë, në kryesi të VETËVENDOSJE!-s kemi bërë vetëkritikë e kritikë, dhe kemi punuar drejt zgjidhjes së problemeve. Pikërisht duke patur ndërmend forcimin e organizatës dhe rritjen e pjesëmarrjes demokratike, kemi punuar për themelimin dhe funksionalizimin e dy organizatave të reja që tash e tutje do të funksionojnë brenda LVV. Ato janë Gratë për VETËVENDOSJE!, me në krye Albulena Haxhiun, dhe Rinia për VETËVENDOSJE! me në krye Behar Jasharin. Jo për të krijuar ndonjë hapësirë të veçantë për gratë e për të rinjtë ndaras prej Lëvizjes, por vetëm si çelës që ata të jenë prezentë gjithnjë e më shumë në të gjitha nivelet dhe strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Sepse sot, meqë ra fjala, ende nuk kemi një numër të mjaftueshëm grash e të rinjsh edhe në këtë Këshill të Përgjithshëm. Kjo gjë megjithatë do të rregullohet shpejt, pikërisht si rezultat i punës së GVV dhe RVV.
Si qeveri, ne tashmë i kemi një vit e shtatë muaj në qeverisje. Gjatë vitit 2021 qeveria jonë ka shpërndarë 300 milionë euro, si pjesë e pakos së ringjalljes ekonomike, kurse sivjet, bashkë me pakon e përballjes me inflacionin, kemi dhënë mbështetje edhe me 350 milionë euro të tjera. Përkrahja për ekonominë do të vazhdojë, në forma të ndryshme. Do të ketë mbështetje për individët, për familjet, për ndërmarrjet. Për të varfrit, për të papunët, për punëtorët, për pensionerët, për ndërmarrësit. Për amviset, për lehonat, për nënat e vetmuara. Do të kemi mbështetje për vajzat studente në STEM, për bizneset që punësojnë gra, dhe për bizneset e grave. Për personat me aftësi të kufizuara, për prodhuesit, për eksportuesit, për fermerët, për studentët, për stafin shëndetësor, për mësimdhënësit, për kursyesit e energjisë, për punëtorët e sektorit privat e atij publik, për kuzhinat popullore, etj. Unë e di se kjo mbështetje që ne e kemi dhënë nuk e ndal krizën globale dhe nuk ia zgjidh të gjitha hallet askujt. Por është mbështetje për të gjithë, e më shumë për ata më nevojtarët, dhe të gjithëve jemi përpjekur t´ua lehtësojmë nga pak jetën dhe problemet. Natyrisht, krizën ekonomike globale, inflacionin dhe problemet e tjera, të gjitha do t´i përballim e do t´i kapërcejmë, pa u ndalur, duke punuar, e duke qenë pranë njëri-tjetrit.
Rritjen ekonomike vitin e kaluar e patëm 10.7%, të Bruto produktit vendor, ndërsa sivjet në tremujorin e parë e kemi pasur 4.9%, pasi të zbritet inflacioni, ritëm shumë i kënaqshëm krahasuar me vendet e tjera. Dogana dhe ATK-ja kanë filluar të funksionojnë me shumë më pak korrupsion, sepse të hyrat prej tyre janë rritur gati tre herë më shumë sesa rritja e ekonomike e vendit tonë, dhe kjo do të thotë se është rritur efikasiteti i doganierëve dhe i agjentëve tatimorë tre herë më shumë sesa është rritur ekonomia, përkatësisht Bruto produkti vendor. Pra, vidhet shumë shumë më pak, se s´po dua të them aspak, që të mos bien në vetëkënaqësi inspektorët e zyrtarët e tjerë.
Kemi patur ecuri të mirë me përgatitjet drejt vettingut në drejtësi dhe themelimit të Byrosë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, dhe kemi rritur rankimin e Kosovës sa i përket zbatueshmërisë së ligjit, duke u bërë të parët në rajon. Kemi themeluar Gjykatën Komerciale që ndihmon e lehtëson punën për bizneset. Kemi themeluar Institutin për dokumentimin e Krimeve të Luftës, për të arkivuar dhe përjetësuar kujtesën tonë nga kohët plot dhimbje e krenari, nga kohët kur fituam luftën me çmimin më të shtrenjtë, të gjakut të dëshmorëve e të martirëve të kombit.
Kemi filluar reformimin e arsimit, duke bërë çdo etapë të arsimit publik falas, përfshi edhe Universitetin, siç ka qenë kërkesë e kahmotshme e rinisë sonë. Kemi filluar edhe me implementimin e Arsimit Dual, duke lidhur shkollat profesionale direkt me tregun e punës dhe me bizneset, sipas modelit gjerman.
Këto edhe punë të tjera, të cilat i kemi prezantuar e vazhdojmë t´i prezantojmë në qeveri, janë meritë edhe e angazhimit dhe e kontributit të kryesisë së kaluar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Një pjesë e asaj kryesie sot janë në pozita të rëndësishme shtëtërore. Glauk Konjufca sot mban rolin tejet të rëndësishëm shtetëror, atë të Kryetarit të Kuvendit. Besnik Bislimi është sot zv. Kryeministër i parë, i ngarkuar për integrimet evropiane, zhvillimin dhe dialogun. Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Xhelal Sveçla, Arbërie Nagavci, janë ministra, siç ishte për një kohë edhe Arben Vitia. Fatmire Kollçaku, Hydajet Hyseni, Fitore Pacolli, Tinka Kurti, Arbër Rexhaj janë deputetë të nderuar të Kuvendit të Kosovës, dy prej tyre udhëheqin edhe komisione parlamentare. Dejona Mihali, Mytaher Haskuka, Mevlyde Hyseni, Arlind Manxhuka, Ajet Potera, Boiken Abazi, Elvis Hoxha, Arbër Zaimi, kanë mbajtur pozita në strukturat organizative të Lëvizjes, duke mundësuar ecjen përpara të organizatës ndërkohë që ne të tjerët u angazhuam me qeverinë. Martin Berishaj sot është ambasador, dhe u desh ta ndërpriste mandatin në kryesi për t´iu përkushtuar detyrës së re. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Sami Kurteshin, sot anëtar i KQZ, si dhe me Kreshnik Ahmetin, sot zv.ministër i në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Të gjithë këta i falënderoj, secilin me gjithë zemër, me mirënjohje shumë të madhe për punën që e kanë bërë. Jam i sigurt se e kanë bërë këtë punë jo për mua, po as për veten e tyre. E kanë bërë me idealin më të lartë kombëtar e shoqëror, dhe vlerësoj se kanë bërë punë shumë të mirë. Por kam falënderim të veçantë për dy persona që ende nuk i kam përmendur. Ata janë sekretarja organizative, Vlora Haxhimehmedi, e cila me ndjenjën e saj të punës së palodhshmë, kursimit të kujdesshëm dhe të ndershmërisë së pafund ka vendosur një transparencë absolute në të gjithë funksionimin e kësaj Lëvizje kaq të madhe siç është puna e VETËVENDOSJE!-s; si dhe tjetri, Rexhep Selimi, aktivisti ynë, deputeti në Kuvendin e Repulikës, gjenerali i UÇK-së, që e kishim anëtar kryesie, e kishim edhe kryetar të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të cilin kemi shumë krenari dhe mall, paçka se çmallemi kur kontaktojmë me të. Por jam i sigurt se shpejt do ta kemi sërish, teksa urojmë që të lirohet nga ato akuza të pabaza që i janë bërë atij dhe të tjerëve. UÇK-ja ishte dhe është e drejtë dhe do të dalë e pastër, edhe nga gjyqet e imponuara padrejtësisht nga politikanë të cilëve u mungonte largpamësia.
Të dashur delegatë. Nuk dëshiroj ta zgjas, jemi në një periudhë globale të vështirë. Ekonomia po shënohet nga ajo që cilësohet si polikrizë, krizë e shumëfishtë, ndërsa gjeopolitika është shënuar nga rikthimi i luftës në Evropë. Menduam se me përfundimin e luftërave që i shkaktoi Serbia në Ballkan, erdhi një paqe e qëndrueshme në Evropë, por ja që siç veproi Serbia dje po vepron Rusia sot. Këto dy shtete kanë një lidhje historike e kulturore me njëra-tjetrën, në linjat e autokracisë e despotizmit, agresionit dhe gjenocidit. Kosova në aspektin ndërkombëtar po e bën detyrën e vet, duke u rreshtuar menjëherë e pa asnjë kusht në radhën e vendeve që dënuan Rusinë e që mbështesin pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Natyrisht, le ta dinë të gjithë, kur kërkojmë të respektohet pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës, as që bëhet fjalë të mendohet se do tolerojmë prekjen e pavarësisë, sovranitetit apo integritetit territorial të Kosovës. Këto nuk janë të diskutueshme asnjëherë, askund për neve.
Sot në botë jemi dëshmitarë që është rikthyer politika fashiste, herë e drejtpërdrejtë, herë e maskuar. Politikë e sponsoruar nga Moska, nga Kremlini, nga Putini. Pikërisht sot, është rikthyer në plan të parë rëndësia e të qenit antifashistë. Kundër diskriminimeve me bazë gjinore, racore, etnike, fetare, kundër çdo lloj diskriminimi. Lëvizja VETËVENDOSJE! është partia e vetme parlamentare e cila përqafon një politikë progresiste, socialdemokrate, aktiviste kundër diskriminimeve, aktive për shtet zhvillimor. Po e kryej këtë fjalim me këto fjali: është sot me rëndësi strategjike të mendojmë në mënyrë afatgjate për organizatën tonë. Jo sot për nesër, as për javën, muajin apo vitin e ardhshëm, por për një qëndrueshmëri edhe dhjetë, apo njëzet vjeçare. Ndryshimet e vërteta, kërkojnë qëndrueshmëri. Qëndrueshmërinë do të na e japë vetëm organizata.
Ju uroj punë të mbarë në vazhdim gjatë kësaj mbledhjeje shumë të rëndësishme të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes sonë të përbashkët, VETËVENDOSJE!.
Ju falemnderit!