Pa “mashqit” e tjerë të opozitës, si mund të koordinohen veç Kurti e Haradinaj për dialogun?

Përmes një poste elektronike, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ftoi krerët opozitarë në një takim që do të mbahet nesër në ora 12:00. Në postën elektronike për të cilën kishte raportuar Nacionale, nuk bëhej fare e ditur tema apo agjenda e takimit gjegjës.

“Shpresoj që ky email t’ju gjejë mirë. Po ju shkruaj në emër të kryeministrit të Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti për të ftuar në një takim të përbashkët kryetarët e partive politike opozitare. Takimi mbahet këtë të premte me datë 21 tetor, në ora 12:00, në Zyre të Kryeministrit. Në takim është i ftuar kryetari i partisë politike bashkë me një shoqërues”, thuhet në “e-mailin” e pranuar dje nga opozita.

Megjithatë, duket se ky takim do të jetë i zbehtë. Kjo pasi, vetëm Haradinaj e ka pranuar ftesën për t’u takuar me Kurtin. Abdixhiku e Krasniqi jo.

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi deklaroi se LDK nuk do të marrë pjesë, pasi sipas tyre Kuvendi është vendi ku duhet të raportohet.

“Për temën e dialogut, Kryeministri i Kosovës duhet të raportojë vetëm në Kuvendin e Kosovës. Aty LDK do t’i ritheksojë edhe qëndrimet e saj. Ky ka qenë dakordimi i liderëve nga takimi paraprak”.

“Për LDK-në, marrëveshja finale me Serbinë duhet të bëhet vetëm rreth njohjes reciproke. Në këtë marrëveshje të njohjes, rendi kushtetues, integriteti territorial e sovraniteti i vendit janë të panegociueshme.” – thuhej ndër tjerash në përgjigjen e dhënë nga Halimi.

Para pak çastesh ndërkaq, edhe PDK e konfirmoi mospraninë në takim.

Ishte kreu i partisë, Memli Krasniqi që përmes një video-adresimi i propozoi Kurtit një seancë të mbyllur, ashtu siç e parasheh ligji, nëse veç Kurti e sheh si rast të ndjeshëm dialogun.

Tutje ai kritikoi qasjen e Kurtit karshi transparencës, duke thënë se nuk e ka folur as edhe një fjalë të vetme dhe kështu i ka lënë qytetarët të painformuar.

“Po jua rikujtoj që s’keni asnjë arsye të na ftoni për çështje teknike, ndërsa kur të ketë diskutim konkret për marrëveshjen finale, ne do të jemi aty. Ka ditë që në opinionin publik po qarkullon një dokument që e keni në tavolinë rreth marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të ofruar nga partnerë ndërkombëtarë”.

“Po ju po e fshehni këtë fakt prej institucioneve dhe prej qytetarëve. Poashtu ju nuk po i tregoni as elementet e atij dokumenti dhe as qëndrimin tuaj për këtë çështje të rëndësishme për të ardhmen e vendit”, pohoi veç tjerash i pari i Partisë Demokratike.

Tema?

Çka mund të diskutojnë kryeministri Kurti e Haradinaj? Aty nuk do të jenë as Lumir Abdixhiku e as Memli Krasniqi. Të dy kanë deputetë më shumë.

Kohë më parë, në qarqet e opinionit kosovar, gjithmonë në stadin jozyrtar qarkullonin zëra se mund të ketë një koalicion VV – AAK.

Deri më tani nuk ka pasur asgjë konkrete në atë drejtim, dhe për më tepër kjo çështje po shihet si e pamundur për t’u diskutuar tash.

Gjithsesi, mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat nesër, ndërsa shpresojmë që mos të thuhen fraza që në një kohë të mëvonshme do të keqpërdoren për poena politikë.

Zhvillimet

Zbarkimi i Gabriel Escobar në Kosovë ka kthyer dialogun në vëmendje totale.

Deklarimet e mbrëmshme në Kanal10, duke pranuar se diskutoi me presidenten Osmani edhe çështjen e Asociacionit, ku siç tha ai, të dyja palët të dalin fituese, u shpërndanë goxha shumë.

Escobar prcizoi faktin se i njëjti Asociacion duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.