Gërvalla kërkoi nga Gjermania që, siç po veprojnë SHBA, të shqyrtojë mundësinë e një pranie më të madhe ushtarake në rajon. “Jam shumë e lumtur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë plotësuar kërkesën tonë të kahmotshme dhe tani po dërgojnë 300 ushtarë amerikanë në rajon dhe në Kosovë. Dhe gjithashtu do të doja të kërkoja që Gjermania dhe të tjerët të shqyrtojnë se a mund, apo duhet të dërgojnë sinjale të ngjashme në rajon.”
Dy politikanet folën edhe për Procesin e Berlinit, në kuadër të të cilit pritet të ketë një konferencë të ministrave të Jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, javën e ardhshme në Berlin. Po ashtu ato theksuan marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe, të krijuara edhe për shkak të mërgatës së madhe kosovare që jeton në Gjermani. Kryediplomatja e Kosovës, falënderoi Gjermaninë për njohjen e lejeve të drejtimit të automjetit, prej të cilës sipas saj, deri tani kanë përfituar 12.500 shtetas të Kosovës, dhe tha se tani po punohet për arritjen e një marrëveshje për heqjen e taksave të dyfishta.