Escobar: Njohja nga Serbia më vonë, njëherë anëtarësimi në BE e NATO dhe njohja nga 5 vendet e BE’së

Gabriel Escobar, ka deklaruar se më e rëndësishme për Kosovën është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe njohja nga pesë shtetet mosnjohëse të BE’së.

Për njohjen nga Serbia, ka thënë se do të ndodhë në një fazë më vonë.

“Mendoj, se njohja do të ndodhë, do të duhet të ndodhë dikur në një fazë më vonë. Çështja është për kohën se kur do të ndodhë kjo njohje. Por, ajo që është e rëndësishme për Kosovën është që të nisni një rrugë më të qëndrueshme drejt integrimit në strukturat euro-atlantike, duke përfshirë njohjen nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së. Kjo është më e rëndësishmja që mund të nxirrni se çkado tjetër në proces”, ka deklaruar Escobar në Kanal 10.

Escobar ka thënë se pa përkrahjen e pesë shteteve mosnjohëse, do të jetë shumë e vështirë për Kosovën të bëhet anëtare e NATO-s

“Shpresoj, shpresoj, sepse tani siç e dini i keni pesë shtete mosnjohëse në BE dhe katër prej tyre janë anëtare të NATO-s. NATO-ja është një organizatë që bazohet në konsenus, prandaj pa përkrahjen e këtyre shteteve, do të jetë shumë e vështirë për Kosovën të bëhet anëtare e NATO-s. Prandaj, Evropa e ka shtruar rrugën për integrimin e Kosovës. Kjo rrugë është dialogu i lehtësuar nga BE-ja, prandaj ne plotësisht e mbështesim atë që po ndodhë me dialogun, dhe mbështesim plotësisht Kosovën që ta marrë procesin seriozisht dhe t’i marrë shumë seriozisht rekomandimet e shteteve që e kanë ndihmuar Kosovën në gjithë këtë përpjekje”.

Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin plotësisht propozimin Francës dhe Gjermanisë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Escobar, ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës në integrimet euro-atlantike.

“Propozimi ynë është që çkado që këto shtete evropiane sugjerojnë nëpërmjet dialogut, duhet të merret seriozisht. Ne do ta mbështesim këtë. Ne mendojmë, se sikurse na është shpjeguar, ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht Serbisë, në integrimet euro-atlantike… Po, e mbështesim plotësisht. Dhe, më duhet të shtoj se ne gjithmonë e kemi përkrahur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe ne do ta mirëprisnim në OKB dhe në të gjitha strukturat tjera evropiane”, ka deklaruar Escobar.