Ish-kryekuvendari i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se Serbia duhet të vendosë vetë nëse do t’i vendosë sanksione Rusisë dhe se kjo nuk është çështje e Bashkimit Evropian. Daçiq në një intervistë për “TV Pink” ka folur edhe që i është kërkuar Serbisë të harmonizojë politikat e vizave me BE-në.
Bëhet fjalë për qytetarë të Burundit e Tunizisë, ndër të tjera, që kanë regjim pa viza në Serbi.
“Duhet diskutuar për këtë, por është hipokrizi. Duhet të bëjmë pyetjen se kush mban përgjegjësinë për mijëra emigrantë që vijnë në Serbi nga BE-ja, përmes Bullgarisë e Greqisë. Dhe pastaj ata thonë se mund të arrijnë tek ju, por ata mëtutje jo”, ka thënë Daçiq.
Daçiq, që është president i Partisë Socialiste të Serbisë, ka thënë se duhet shikuar deri ku Serbia mund ta vazhdojë rrugën drejt BE-së.
“Nuk kam dyshim se të gjithë duam të jemi pjesë e BE-së, por kur ata shkuan nga Londra në Bruksel, gjithmonë thonin se mbrojmë interesat e Britanisë. Edhe ne mbrojmë interesat e Serbisë. A do t’i vendosim sanksione Rusisë, nuk është çështje e BE-së, por e jona, dhe përgjigja jonë duhet të jetë në përputhje me interesin tonë. Nëse është interesi ynë atëherë të bëjmë këtë”, tha Daçiq. “Shqipëria ka pajtueshmëri 100 për qind dhe nuk ka mundur ende të hapë negociatat. A duhet të themi që Kosova duhet të hyjë në OKB? A nuk duhet të kërkojmë ndihmë nga Rusia, Kina, Indonezia?”- tha ai.