Dolën në vendin e tretë në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në vitin 2021, duke fituar gjithsej 15 vende në Kuvendin e Kosovës, me bashkangjitjen e deputetes Doarsa Kica- Xhelili u bënë 16 deputetë. Por, Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të mbetet e treta dhe vetëm me 12 për qind në Kuvendin e Kosovës.
Kjo përqindje është duke e brengosur kryetarin aktual të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai mbrëmë në një intervistë dhënë medias vendore, është shprehur se e turpëron faktin që kanë mbetur në 12 për qind në Kuvend dhe kësisoj ai po angazhohet që partinë e Ibrahim Rugovës ta kthejë ku e ka vendin.
“Partia jonë mburret me rugovizëm. Njerëzit vijnë e shkojnë dhe secili lë gjurmët e veta brenda kohës së shkurtër që ka. Mua më turpëron fakti që një parti si LDK ka mbetur në 12% në Kuvendin e Kosovës. Unë po angazhohet që partinë e Ibrahim Rugovës ta kthejë ku e ka vendin”, ka thënë Abdixhiku.
E ish- deputeti i kësaj partie, Naser Rugova, thotë për “Bota sot”, se janë gabimet, improvizimet dhe pazaret jo parimore të lidershipit të kaluar ata që sollën një zhgënjim, por edhe ndëshkim elektoral.
Sipas Rugovës, pjesë e asaj kryesie ka qenë edhe kryetari aktual i partisë, por beson se kanë marrë mësim.
“Rezultati i zgjedhjeve të fundit parlamentare për LDK ishte tejet zhgënjyes dhe i pa parashikuar. Gabimet, improvizimet dhe pazaret jo parimore të lidershipit të kaluar sollën një zhgënjim, por edhe ndëshkim elektoral ndaj atij koncepti udhëheqës të partisë. Pjesë e asaj kryesie ishte edhe kryetari aktual i partisë. Besoj se lidershipi i ri e ka mësuar mësimin se çka do të thotë të abuzosh me vullnetin e anëtarsisë. Duhet të dëgjohet zëri i antarësisë”, pohon Rugova.
ImageIsh- deputeti i LDK-së, Naser Rugova
Zgjedhjet e përgjithshme në parti, në të gjitha strukturat dhe reforma, do ta rikthenin LDK-në, sipas Rugovës.
Ai ka kërkuar që LDK t’i kthehet shtratit ideologjik dhe frymës rugoviane.
“Duhet zgjedhje të përgjithshme në parti, në të gjitha strukturat. Reforma duhet të vijë nga poshtë lart dhe jo të imponohet nga lart dhe zgjedhje me aklamacion e pa kundërkandidat siç u bënë zgjedhjet në forumin e gruas dhe të rinisë para pak ditësh. LDK duhet t’i kthehet shtratit ideologjik, frymës burimore rugoviane që bazohet në parimet demokratike, unitetin funksional dhe vullnetin e shumicës”, përfundon Rugova.