Abdixhiku flet si kryeministër: Kurti ministër i brendshëm i imi në rastin më të mirë

Abdixhiku sonte foli për situatën brenda partisë që ai udhëheq. Sipas tij, njerëzit në LDK janë profesionistë.

“Në LDK unë kam gjetur njerëz profesionistë. Njerëz që janë të gatshëm të punojnë për të mirën, për të ardhmen e këtij vendi. Mburrem që jam pjesë e LDK-së, parti e cila operon në 33 vitet e fundit. Ajo çka më turpëron është fakti se si një parti ka mbetur në këtë përqindje. Pra, shkoj në seance, e shoh Lidhjen në veç tri radhë”, tha ai në RTV Dukagjini.

Ndër të tjerash, ai foli edhe për qeverinë aktuale, të udhëhequr nga Kurti.

Ai tha se në rastin më të mirë, Kurti mund të jetë ministri i tij i brendshëm.

“Kur një qeveri s’bën punë as në politikë, as në arsim, as në shëndetësi, as në politikë të jashtme, as në infrastrukturë, as në politikë të brendshme dhe kur i gjithë roli i saj reduktohet në le të themi, në një shkop polici dhe kështu duket që janë, si një ministri e punëve të brendshme, me kaq përfundon puna e qeverisë. Një MPB. Pra, në rastin më të mirë, Albin Kurti do të ishte ministri im i brendshëm”, deklaroi Abdixhiku.

“VV ka 67 deputetë, mund të marrë çfarëdo vendimi, përveç ndryshimeve kushtetuese. Tjetra është shqetësuese që pas dy viteve ata merren me propaganda. Ata duhet të flasin për shkolla, ndërtim e çerdhe. Pse është e pamundur që në secilën komunë të ndërtohet nga një çerdhe? Duhet të na flasë për shëndetësinë, ku iku edhe ministri i dytë. Ata nuk duhet të flasin për kundërshtarët që nuk janë”, tha ai.