Ajkune Olluri, është shqiptarja e vetme në Belgjikë, shofere autobusi

Ajkune Olluri, është shqiptarja e vetme në Belgjikë e cila e ushtron profesionin e shoferes së autobusit. Përmes një rrëfimi për Insajderin, Olluri ndan detajet e punës që ajo e ushtron me përplot pasion.

Prej 22 vitesh Ajkune Olluri, e cila me prejardhje është nga Kosova, përkatësisht komuna e Drenasit, jeton dhe vepron në Belgjikë. E njëjta është edhe nënë e pesë fëmijëve, pasioni, apo dëshira e vetme që nuk iu realizua asnjëherë ishte vazhdimi i shkollimit. Olluri tha se mundësia e punës si shofere erdhi edhe nga besimi që kompania kishte në të.

“Mundësia e punës ka ardh ktu. Nëse mundohesh këta ti japin të gjitha mundësit dhe me mu ashtu ka ndodh un kam fillu dhe nuk më ka munguar asgjë. Njerëzit këtu të përkrahin aq shumë sa nuk kam fjalë për ta përshkruar. Kanë besim në ty dhe thua me veten sikurse nuk je duke bërë asgjë, aq mirë din të ta largojnë stresin”, tha Olluri për Insajderin.

Shoferja shqiptare tha se punën si shofere, familja e ngushtë e priti mjaft mirë, sikur nga bashkëshorti me fëmijët ashtu edhe nga babai i saj.

“Fillimi i punës si shofere nga familja ime e ngushtë është prit shumë mirë nga fëmijët e mi burri dhe babai im. Definitivisht i kam pas përkrahësit më të fort dhe shtysën më të fort”, tha ajo për Insajderin.

Por, njëjtë nuk menduan nga ana e familjes së gjerë, pasi vazhdimisht kishte edhe dyshime nëse do të ia dalë apo jo ta kryej këtë punë.

“Kurse nga familja e gjerë ka pas edhe prej atyre se kanë qenë edhe gogja shumë skeptik dhe sikur me thënë…Shihej në fytyrën e tyre mendimi se athua çfarë don kjo me ketë punë që nuk ia ka idenë për të? Kurse pasi kam filluar me punën e kanë pa që ja kam dal dhe me sukses, pra më përgëzojnë dhe me kanë thënë vetëm fjalë të mira të gjithë”, u përgjigj shqiptarja nga Korrotica e epërme e Drenasit.

Në pyetjen se a do ta ushtronte të njëjtin profesion edhe në Kosovë, Olluri u përgjigj se do e bënte një gjë të tillë, madje pa asnjë hezitim. Por, krejt çka do ta ‘ndalonte’ të njëjtën është mentaliteti që kosovarët kanë për steriotipin se kjo është punë që ushtrohet nga meshkujt.

“Me shumë dëshirë do ta kisha ba ketë punë edhe në Kosovë, po sikur të vi tash qe kam eksperienca. Por nuk e kisha filluar në Kosovë, sepse është mentaliteti që e shohin sikur punë për burra, atje njihet si e tillë. Unë kam një kokfortësi që do ti thyeja lëto paragjykime”, tha ajo në vazhdim.

Pavarësisht se në Kosovë kjo punë nuk ushtrohet shumë nga gratë, Olluri pohoi se në Belgjikë është gruaja e 7-të vetëm në kompaninë ku ajo operon.

Ajo pohoi se nuk ka dëgjuar të ketë në Belgjikë shofere tjetër shqiptare atje, por e njëjta uron të ketë pasi mund të jetë shembull model për gratë e tjera.

“Jo jam shoferja e shtatë me koleget që kam aty në të njëjtën Depo, kurse ka shumë femra që vozitin. Këtu është diçka shumë normale qe te drejtohet një mjet i rëndë nga një femër.

Kurse a jam shqiptarja e vetme, po foli për Belgjik së paku hala nuk kam dëgjuar ose pa ndonjë tjetër shqiptare qe është shofere e mjeteve të rënda. Për këtë, shpresoj qe ka dhe edhe nëse ka shpresoj që të jetë një shembull që të fillojnë me këtë lloj të punës se i siguroj se është një punë shumë e mirë”, u përgjigj në vazhdim Olluri.

Pasioni i shoferes kosovare dikur ishte vazhdimi i shkollimit, por , fëmijët dhe vendosja në një shtet të ri, pa njohur gjuhën, kulturën e as zakonet e penalizoi atë.

“Sa i përket pyetjes se cili është pasioni im, e kam pas dhe shkollen si pasion, por, jeta fëmijët dhe shumë
çka tjetër më kanë kufizuar. Nuk është e lehtë me kriju një jetë në një shtet ku se din gjuhen, ku se di kulturën dhe duhet t’i mësosh çdo gjë nga zeroja. Kështu që pas shkollës pasioni im ka qenë vozitja dhe ketë e kam arrit dhe jam e lumtur”, shtoi tutje ajo për Insajderin.

Për fund, porosia e shoferes ishte që gratë dhe vajzat shqiptare të mos hezitojnë t’i ushtrojnë punët që dëshirojnë, të mos i dëgjojnë paragjykimet pasi puna që bëhet me pasion, sipas Ollurit kryhet më së miri.

“Porosija ime është për çdo grua çdo femër shqiptare qe jo vetëm vozitjen por çdo lloj pune që e ndjen në shpirt dhe dëshiron ta bëjë, të mos heziton, mos t’i dëgjon paragjykimet se nuk ia vlen. Dëgjojeni zemrën, veproni me kokën e juj pasi në jetë askush nuk ka të drejtë të iu dirigjoj. Atë punë që e bënë me pasion e bënë më së miri”, tha për fund Olluri.

Pasionin e saj, Olluri tashmë po e ndan edhe me përdoruesit e rrjetit social Tik Tok, vend ky ku shpesh e njëjta publikon video e fotografi.