




Çun Lajçi
“U ktheva!
Zbrita kujtimeve ashtu siç u ngjita nji ditë kur dielli po mi pickonte qelet e kresë. Zbrita, por shumë ma i mërzitun se ditën kur mbrina n’majet e andrave t’mia! I lash kujtimet e shkreta, varun, bjeshkëve me kleka e çetina. Dhitë e egra i lash qetave t’kërrshave dhe u futa n’qytetin e njerëzve që sorollatën rrugëve, pa ditë pse e kur asht boll!





I lash rogat pa pasqyrat e vogëla. Kullosat pa dele e stanet pa zana! Pa çika, pa nuse! U zhdorgja kujtimeve ma shpejt seç hipa nji ditë me diell dhe u ktheva të kuferi me libra. Kurkush s’i kishte prekë!
Si kush u ktheva, mos me pyetni se nuk di as sot, veç pak si Reku po, se fillova me i kthye rrezet që bishin n’sharki kah fustanhollat.
Edhe nji shami t’zezë e pështolla rreth kresë, se dielli mi përcellonte qelet e thash, si Cuku je ba! Ke nisë me i kqyrë për nën vetulla gratë e hueja! Mbathi edhe kundrat e zeza n’daç me t’kërsitë pushka e Cekut!
U ktheva, por si kush nuk di. U mbështeta n’atë pemën që mbështetësha kur shisja libra, dhe e çova shikimin andej kah Parlamenti. Oh sa shumë File pashë! Plot Drane e plot Syka që tundeshin tue ecë çarrshisë!
E sheh?





Edhe ato paskan zbritë n’qytet. S’e kan durua ushtimën e bjeshkëve e ulërimën e ujqëve. Mbas pasqyrave paskan ardhë! Këtu, kurkush nuk t’v.ret për nji rreze!
-Artist! Hala po flet me vetvetën?
M’tha po ai djali që kërkoi me ba foto me mua, kur zbrita nga varrezat e Dragodanit!
-Sa mirë asht me qenë artist e me folë me vetvetën, kur s’ke me kend, tha dhe qeshi butë!
Qesha edhe unë”!