




Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, pas një takimi me të dërguarin special të ShBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Gabriel Escobar ka thënë se zgjidhja e cështjes së Luginës së Preshevës është në tavolinën e Uashingtonit.
Ai ka thënë se miqësia me SHBA është e përhershme.





“Zgjidhja e çështjes së Luginës së Preshevës është në tavolinën e Uashingtonit. Miqësia me SHBA është e përhershme dhe e përjetshme. Lugina e Preshevës është në fokus u nënvizua në takim me të deleguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, njëkohësisht zëvëndës-ndihmës i Sekretarit Amerikan të Shtetit”, ka shkruar Mustafi.
Escobar ka takuar edhe deputetin ievetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi së bashku me tre liderë të tjerë shqiptarë.





Përmes një shkrimi në Facebook, Kamberi tha se në këtë takim diskutua për nevojën e trajtimit të drejtë dhe të barabartë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
“Në takim me të dërguarin special të SHBA për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, në Departamentin e shtetit, diskutuam për nevojën e trajtimit të drejtë edhe të kërkesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për nevojën e trajtimit të barabartë dhe reciprok të pakicave përmes standardeve të njëjta si parakusht i një marrëveshje të ardhshme për paqen afatgjate në Ballkanin Perëndimor”, ka njoftuar Kamberi.