




Këshilltari në ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Valdrin Dervishaj, ka thënë se mësimi do të mbahet të shtunave për t’i kompensuar orët e humbura gjatë grevës në arsim.
Në Klan Kosova, ai e ka cilësuar skandaloz thirrjen e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë për moszbatim të këtij vendimi.





“Ky vendim është nxjerrë prej një organi të vetëm që ka kompetencë në hartimin e një kalendari shkollor”.
“Kështu kemi ardhur në një plan që parasheh zhvendosjen e mësimit në tetë të shtune gjatë gjysmë-vjetorit të parë”.
“Ne presim që nesër të kemi një proces të rregullt ku mësimdhënësit të jenë aty për mësimdhënie dhe nxënësit për mësimnxënie”.





Ai ka shtuar se deklarata e SBAShK-ut bie ndesh me kodin penal sepse thirrja për moszbatim të një vendimi të lëshuar nga një organ kompetent ndëshkohet me ligj.
“Prindërit duhet t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë sepse kjo është detyrë e tyre dhe mësimdhënësit duhet të jenë aty”.
“Ju e dini që ministria e Arsimit ka bërë ekzekutimin e pagave në formë të parapagimit. Ne kemi angazhuar të gjithë inspektorët që ta vëzhgojnë zbatimin e kalendarit”.