




“-Silva! A do të doje t’iu thoje diçka vajzave dhe grave që ndërkohë po luftojnë me kancerin e gjirit? Çfarë ka përtej frikës?
-E dashur Blertë! Për mua kanë kaluar tanimë 5 vjet nga diagnostimi me kancer të gjirit dhe heqjes së gjirit të sëmurë. E di cila është një ndër arritjet e mia më të mëdha ndaj sëmundjes?
Unë sot dal nga shtëpia pa e vendosur protezën e gjirit që mungon dhe sërish ndihem e bukur.
Çfarë ka përtej frikës? Përtej frikës ka jetë!”.





Është ky dialogu virtual me një mikeshë i dr. Silvana Kola-Loka, njëra prej të mbijetuarave të kancerit të gjirit, në këtë muaj sensibilizimi për gratë.
Në një video sensibilizuese të dy ditëve më parë, Silvana tregon betejën e gjatë me kancerin e gjirit, duke dhënë mesazhe shprese për qindra gra e vajza që sot përballen me atë që siç thotë Silvana është një sëmundje edhe e familjes dhe e shoqërisë.
Ajo u bën apel organeve shtetërore që të financojnë shëndetësinë publike, sepse diagnostikimi i hershëm, ndërhyrja, trajtimi dhe mbështetja ndaj grave të sëmura është me rëndësi jetike. Prandaj duhet më shumë buxhet në shëndetësi, asistencë mjekësore dhe ilaçe, blerjen e të cilave, shumica e pacienteve nuk arrijnë dot t’i përballojnë.
Silvana Kola-Loka, që emigroi tre vite më parë bashkë me familjen në SHBA, prej një muaji punon si psikologe në Filadelfia, në shtetin e Pensilvanisë.