Analisti dhe gazetari Valon Syla ka thënë se në bazë të burimeve në Bruksel që ka, një lajm i mirë për liberalizimin e vizave mund të vij më 21 dhjetor të këtij viti.
Sipas Sylës, gjasat që Kosovës t’i jepet përfundimisht liberalizimi i vizave nga BE janë 90%, por sipas tij zbatimi mund të nis vetëm nga marsi ose qershori i vitit vijues, raporton Gazeta Express.
“Informatat tona thonë nga burime në Bruskel thonë që ka gjasa shumë të mëdha, 9 me 1, pra 90 me 10% që ka gjasa që më 21 dhjetor mund të vijë një lajm i mirë nga Brukseli, që e jep mendimin pra të gjitha ministrive të jashtme, dhe kjo implementohet pra nga marsi në qershor, që ti del teknikisht, një kosovar me pasaportë mund të lëviz në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai në Pressing të T7.
Ndërsa, “kushtin” e BE-së që lidhet me sistemin ETIAS, Syla e ka sqaruar shkurtazi, duke thënë se minsitrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës do t’i kërkohet më shumë qasje nga ministritë e punëve të brendshme të vendeve anëtare të BE-së.
“Kjo nënkupton që ministria jonë e brendshme t’i jap qasje shtesë ministrive të punëve të brendshme të vendeve anëtare të BE-së”, ka thënë ai.
Sipas Sylës, ky kusht nënkupton që Kosova t’i vë regjim vizash Turqisë, gjë e cila, sipas tij, implikon një efekt tregtar dhe ekonomik.
“Kjo nënkupton me ia qitë vizën Turqisë, që njerëzit nuk po e kuptojnë. Kjo për ne nënkupton shtrenjtim i mallrave, pengesa në tregti me Turqinë. Kjo nënkupton rritje të çmimeve deri në stabilizimin e tregjeve”, ka shkruar Syla. /GazetaExpress