Kjo komunë e Kosovës po i shet drunjtë për dimër: Veç 18 euro për metër

Komuna e Ferizajt me pëlqim nga Agjencioni i Pyjeve ka nisur një projekt për pastrimin e pyjeve në zonën malore të Jezercit dhe në disa zona të tjera. Ky projekt është nisur së realizuari me qytetarë të cilët kanë nevojë të blejnë dru me çmime të lira e të kategorisë më të dobët.

Ata mund të koordinohen me rojat e pyllit për të marrë dru të dobëta, të thata, të dëmtuara nga era dhe dru që kanë mbetur në tokë prej vitesh.

Për një metër kub me dru të tillë, qytetarët do të paguajnë vetëm 18 euro të cilat faturohen në mënyrë të rregullt nga zyrtarët e pyllit.
Drejtori për Bujqësi dhe Pylltari në Komunën e Ferizajt, Burim Bajrami, ka thënë se ky projekt do të vazhdojë derisa të ketë interesim të qytetarëve për të blerë dru të dobëta dhe të holla.

“Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë në Ferizaj ka bërë kërkesë tek APK (Agjensioni Pyjor i Kosovës) që të mundësojë shfrytëzimin e mbeturinave të pyjeve ku përfshihen drunjtë e rrëzuar nga erërat e ndryshme, mbetjet nga prerjet ilegale të pyjeve, drutë e thata etj. Andaj, kemi hasur në mirëkuptim nga Agjencioni dhe menjëherë është rritur interesimi i qytetarëve për të blerë dru për ngrohje”, ka thënë Bajrami.

Sipas tij, Komuna është vazhdueshëm aktive së bashku me Policinë e Kosovës në Rajonin e Ferizajt në parandalimin e prerjeve ilegale të pyjeve duke zhvilluar aksione të vazhdueshme në këtë drejtim.

“Vlen të theksohet se qytetarët e Ferizajt deri në këto momente janë furnizuar me mbi 300 metër kub dru për ngrohje nga të gjitha terrenet apo rajonet pyjore brenda territorit të komunës sonë. Vërehen lëvizje më të shpeshta të mjeteve të transportit të druve në këtë kohë si rezultat i kësaj mundësie që ka ofruar Drejtoria për të mundësuar qytetarët të furnizohen me dru zjarri dhe njëkohësisht të pastrohen pyjet”, ka thënë Bajrami.