Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se kryeministri shqiptar, Edi Rama i ka bërë mbrojtjen më të mirë Kosovës me fjalimin e tij në Këshillin e Evropës, ku kundër-argumentoi ndaj raportit të Dick Martyt.
Çitaku, duke folur në “DPT te Fidani”, ka thënë se Rama me elokuencë të jashtëzakonshme e ka dekonstruktuar raportin e Martyt.
“Kur e mendon që një raport i tillë është miratuar në Këshillin e Evropës, dhe mbi atë raport është ndërtuar Gjykata Speciale. Me elokuencë të jashtëzakonshme, me guxim dhe argumente, kryeministri Rama e ka dekonstruktuar raportin e Martyt. Për këtë arsye ka qenë kryeministri Rama aty. Dhe nuk ka qenë prezantimi as zhbërja e Speciales, siç është interpretuar nga disa, por të prezantohen faktet për raportin tani kur kanë përfunduar hetimet”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka thënë se ka një arsye se përse Rama flet kundër këtij raporti më shumë në këtë kohë.
“Disa thonë se përse Rama nuk foli tash e 11 vjet. Mirë, tash e 11 vite nuk ka pasur një aktakuzë nga Prokuroria e Hagës. E ka prezantuar aktakuzën vetëm tani”, ka deklaruar ajo.
Akuzave për afërsi të Ramës me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, Çitaku i është përgjigjur duke përmendur takimet dhe marrëveshjet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka bërë me Vuçiqin.
“Kryeministri i Kosovës takohet rregullisht me Aleksandar Vuçiq, ka nënshkruar marrëveshje me të dhe gjykohet se përse kryeminsitri Rama takohet me presidentin serb. Po e them me përgjegjësi të plotë, nuk kam parë ndonjëherë një mbrojtje më e mirë t’i jetë bërë Kosovës në arenën ndërkombëtare sesa ajo që u bë dje nga kryeministri Rama”, ka thënë ajo. /GazetaExpress