Superskandali: Rreth 25 vila të ndërtuara nga njerëz të PDK-së e AAK-së në Stankaj!

NGA: IDRIZ MORINA

Një dokumentacion me dhjetëra faqe, përfshirë fotografi, janë dëshmitë kokëçarëse, me të cilat Ministria e Bujqësisë duhet të përballet me figura, klane dhe grupe, të cilat ende din të shfaqen rrezikshëm.

Disa kontrata qiraje, që ngjajnë të kurdisura, janë bërë me tokat e Institutit të Bujqësisë, i cili funksionon si pjesë e Ministrisë së Bujqësisë.

Ende nuk ka një veprim juridik, që mund ta bëjë skandalin të zëshëm, sikurse në Brezovicë, i cili është kthyer në një hit medial.

Image

Disa vila duke u ndërtuar në Stankaj
Kurdisje dhe manipulime

Por, janë rreth 25 vila, që hetimet mund të tregojnë për shkeljet më flagrante se sa në Brezovicë. Derisa, në këtë pjesë, çështja e tokës, titullarit të pronës nuk është qartësuar, në Jashanicë, përkatësisht në Stankaj, ku sipas Ministrisë titullari i pronës-tokës është i qartë, Instituti i Bujqësisë. Të paktën, nuk është gjetur dhe nuk është evidentuar asnjë proces tjetër dokumentues.

Sidoqoftë për këtë lloj hetimi të brendshëm, pritet raporti i Komisionit përkatës, të ngritur me kërkesë të ministrit Faton Peci.

Dosja ende nuk duket shumë voluminoze, por ajo mund të bëhet sapo hetimet të marrin formë. Ky është vetëm një segment i abuzimeve në Ministrinë e Bujqësisë, përkatësisht në Institutin e Bujqësisë me palë kontraktuese apo në emër të palëve të treta.

Unë pata mundësinë ta shoh, se çfarë është përmbledhur në njërin nga raportet, fotot dhe informacionet shoqëruese, të përmbledhura siç e kërkon një raport, i bërë veç e veç për secilën kontratë të bërë ndërmjet Institutit të Bujqësisë dhe shfrytëzuesve të pronave, përkatësisht bizneseve.

Në asnjë rast asnjë nuk dallonte. Për shembull një pikë karburanti në dalje të Prishtinës, e shfrytëzon tokën me një qira prej 2 euro ari, pavarësisht të biznesit fitimprurës, apo që një firmë e suksesshme, e cila shet edhe materiale ndërtimore, paguan po aq 2 euro për një ari, apo 2 cent për një metër katror.

Në fakt Komuna e Prishtinës bizneseve, në hapësira publike u merr së paku nga 2 euro e deri mbi 10 euro për një metër katror.

Pra, këto të dhëna, që një biznes, madje edhe shumë i suksesshëm, me 25 ari (2.500 metra katrorë), paguan vetëm 500 euro qira në muaj.

Më kujtohet në vendlindjen time, para luftës, pra para më shumë se 30 viteve, në një tokë, që vështirë se do të kenë qenë më shumë se 20-30 ari, qiraxhiu merrte së paku 500 marka, dhe këtë çmim shkonte duke e rritur, sepse biznesi po fitonte shumë.

Pas më shumë se 30 vjetëve, qiraja e tokës në kryeqytet, buzë rrugëve nacionale, të jetë e krahasueshme me atë në një fshat periferik, është e pabesueshme.

Një çështje që e ka zbuluar hetimi është se në disa raste rezulton, që qiramarrësit (pra duke e bërë një kontratë me kushte tejet të favorshme për biznesin), i kanë lëshuar me qira të majme, hapësirat e njëjta.

Image

Pamje tjetër e vilave po aty
Të kujt janë vilat?

Dje ministri i Bujqësisë Faton Peci nga partia “Guxo”, nëpërmjet një shkrimi në Fb, bëri të ditur se janë ndërtuar rreth 25 vila, në Stankaj të Pejës.

“Rasti tjetër tejet abuziv e shkatërrues për pronën publike është ndërtimi i rreth 25 vilave, prej tyre një numër i konsiderueshëm ndërtimesh të vrazhda në prona të Institutit Bujqësor të Kosovës në Joshanicë të komunës së Pejës respektivisht në Stankaj”, ka shkruar dje në postimin e tij, ministri Faton Peci.

Këto vila janë ndërtuar në toka bujqësore. Deri më sot, pa asnjë leje ndërtimi, e madje shfrytëzimi, për aq sa dihet paraprakisht.

Sidoqoftë, sipas informacioneve të siguruara nga gazeta, ato rezultojnë se disa janë në pronësi të zyrtarëve të PDK-së dhe personave që kanë lidhje me ta, dhe një pjesë nga zyrtarë apo persona të lidhur me AAK-në.

Kjo ministri si duket është e vendosur t’i shkojë gjer në fund këtij procesi, pavarësisht që qysh tani, duket se ka filluar të ndihet trysnia, për t’mos i hetuar më tej shkeljet.

Në të gjitha rastet e dyshuara nuk ka pasur asnjë rast të ekzistimit të ndonjë leje.

Një çështje tjetër është një ndërtim që po zhvillohet, pa asnjë leje, sipas kërkimeve paraprake, në qendër të Prishtinës, dhe që ka ndodhur dhe po ndodhë në sytë e të gjithëve.

Image

Ngjitur me AAK-në në prona të Institutit të Bujqësisë një aneks i përfunduar pa leje
“Si është mundësuar ndërtimi i vrazhdë, ndërtimi i anekseve pa aprovimin dhe posedimin e certifikatës së pronësisë, kopjes së planit të projektit që duhet dorëzuar në drejtoritë e urbanizmit nga titullari i pronës?”, pyeste dje ministri i Bujqësisë.

Pra, të gjitha këto, sipas ministrit janë bërë me mbyllje të syve, dhe nuk ka përgjigje se si janë “pajisur me leje ndërtimi, renovimi, anekse të ndërtimit (nëse i posedojnë) pa aprovimin e titullarit të pronës?”.

Image

Një projeksion i thjeshtë, nga lart i objektit ku ndodhet AAK-ja