Raporti i Dick Marty kundër UÇK-së për kryeministrin Rama është prodhuar në Kremlin dhe më pas ka arritur në Europë duke u marrë si fakt në një kohë që nuk ka asnjë provë për trafik organesh. Nga Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Europs, Rama ju bëri thirrje këtyre të fundit ta rrëzojnë rezolutën bazuar mbi raportin Dick Marty.
Profesori dhe analisti Nexhmedin Spahiu në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj, tha se Rama nuk duhet të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës.
Por Spahiu thotë se ana pozitive e deklaratës së tij është fakti që Rama bën ftesë që Këshilli i Europës ta pranojë në gjirin e vetë Kosovën. Por sipas analistit Rama nuk duhet të kërkojë zhbërjen e GJykatës Speciale.
Nexhmedin Spahiu: Pozitive është fakti që Rama bën ftesë që Këshilli i Europës ta pranojë në gjirin e vetë Kosovën. Raporti Dick Marty është provuar që ka qenë një gënjeshtër. Është treguar se nuk ka prova ndaj është mirë ti kujtohej opinionit evropian. Gjykata Speciale dhe pse është nxitur nga ky raport, është bërë për gjëra të tjera. Ftesa për tu zhbërë kjo gjykatë paraqet një ndërhyrje të Ramës në punët e brendshme të Kosovës. Rama nuk duhet t’ia lejojë vetes të përfshihet në punët e brendshme të Kosovës.
“Raportet mes Ramës dhe Kurtit janë të acaruara prej tendencës për tu përfshirë në punët e njëri tjetrit. Kurti me votimin e tij në Shqipëri dhe Rama me kërkesën për zhbërjen e kësaj gjykate. Gjykata Speciale është gjykatë e Kosovës, është një gjykatë që financohet nga BE, SHBA Zvicra dhe Turqia. Nuk ka sens që kryeministri shqiptar të kërkojë zhbërjen e saj. Është e padrejtë që kryeministri i Shqipërisë të përfshihet në punët e brendshme të Kosovës. Është provokuese deklarata se po provokon Kosovën dhe miqtë e Kosovës. Ti kundërshtosh aleatët strategjik është një provokim.”