




Qeveria e Kosovës ka thënë se shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, njëherësh Përfaqësues Special i BE-së, ambasadori Tomas Szunyog, ia ka dorëzuar Raportin e Progresit kryeministrit Albin Kurti dhe ka vlerësuar si raportin më të mirë në rajon.
Kurti ka theksuar se Kosova ka përmbushur 95 kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, andaj sipas tij, është radha që BE-ja të veprojë, për të mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.





“Duke e vlerësuar si më të mirë sesa vitin e kaluar dhe si një ndër raportet më të mira në rajon, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, njëherësh Përfaqësues Special i BE-së, ambasadori Tomáš Szunyog, i dorëzoi Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, i njohur më herët si Raporti i Progresit”.
“Për shkak të përkushtimit të jashtëzakonshëm në rrugën tonë evropiane, besojmë se ka ardhur koha që Kosova dhe Bashkimi Evropian të përshpejtojnë përpjekjet e përbashkëta për adresimin e çështjeve që qëndrojnë në rrugën e procesit të integrimit në BE, tha Kryeministri Kurti. Ne kemi deklaruar objektivin tonë për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian si hap i parë me synim marrjen e statusit kandidat”.