




Ish-kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka thënë se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, është vënë në mbrojtje të Kosovës. Mustafa tha se meriton falënderimin dhe përkrahjen edhe nga ata që nuk e duan.
Ai tha se përderisa kryeministri shqiptar mbrojti vendin tonë udhëheqësit tanë po mbrojnë kolltukët e tyre.
“Në Asamblenë e Këshillit të Evropës u tha një e vërtetë e madhe nga goja e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Sot, ai ishte zëdhënës me plot dinjitet i të vërtetës për Kosovën dhe luftëtarët e saj të lirisë”.





“Edi meriton përkrahjen dhe falënderimin tonë, të atyre që e duan dhe nuk e duan, sepse ai foli me argumente, kurse disa nga ne na ka kapluar urrejtja dhe inati primitiv. Edi u vu në mbrojtje të Kosovës, derisa udhëheqësit tanë po mbrojnë kolltukët e tyre”.
Sot, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka folur në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Ai me këtë rast ka propozuar edhe një rezolutë kundër raportit të ish-senatorit zviceran, Dick Marty.
Rama tha se as pas 11-vjetësh prej miratimit të këtij raporti nga KiE, nuk janë vërtetuar faktet që i akuzojnë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për trafikim organesh. /eo