Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se asociacioni duhet të themelohet, derisa theksoi se kjo duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Më e rëndësishmja, e mendoj se këtë e ka thënë publikisht kolegu im, zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit, Eskobar, siç e kam thënë edhe unë dhe ky nuk është ndryshim në politika, por Asociacioni duhet të bëhet në mënyrë të tillë që respekton Kushtetutën e Kosovës; duhet të bëhet në atë mënyrë që nuk ndikon negativisht në rendin kushtetues të funksionimit të qeverisë dhe ne besojmë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese mundëson kornizë të duhur si të ecet përpara me zbatimin e këtij zotimi”, tha ai në një intervistë në ATV.
Hovenier tha se askush nuk dëshiron krijimin e një Republike serbe.
“Ka shumë mënyra për krijimin e këtij entiteti, për të parë realizimin e këtij zotimi, që janë plotësisht në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Këtë e duam dhe këtë e kemi inkurajuar. As në Shtetet e Bashkuara, e as te partnerët tanë të Evropës Perëndimore nuk ka fare interesim që të shohim diçka si një Republikë tjetër Serbe apo diçka që do të çrregullonte rendin kushtetues apo të ndikonte në funksionimin e mirë të qeverisë së Kosovës. E mirëpresim momentin kur qeveria e Kosovës do të ofrojë idetë e saj rreth mënyrës më të mirë për të përmbushur këtë zotim që qeveria e Kosovës e ka bërë përmes marrëveshjes së Brukselit, por në mënyrë që respekton Kushtetutën e saj dhe që është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi ai.
Ambasadori amerikan tha se miqësia e ShBA-së me Kosovën është e kamotshme, dhe se Amerika është në krah të vendit tonë.
Diplomati amerikan ka folur edhe për nismën “Ballkani i Hapur”.
“Nuk e di a ka nevojë që të sqarohet qëndrimi amerikan, por me kënaqësi e përsëris atë. E kam bërë këtë më herët, siç e ka bërë edhe zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Eskobar. Janë një varg nismash rajonale që mund të ndihmojnë në rritjen e prosperitetit në rajon. Ne e mirëpresim çdo gjë që zvogëlon pengesat për tregti, që çon përpara lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve, kapitalit. Kjo do të ishte procesi i Berlinit dhe disa prej këtyre nismave tjera, dhe sipas këndvështrimit tonë, kjo përfshin edhe nismës e Ballkanit të Hapur. Shtetet e Bashkuara publikisht kanë shprehur mbështetjen e tyre për të.
I kemi pasur dy kushte për mbështetjen tonë, të paktën dy, por dy të rëndësishmet për Kosovën janë (1) nëse Kosova merr pjesë në të, do të duhet të marrë pjesë si partnere e barabartë. Një ndër gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Pa yll, pa fusnotë, pa status të posaçëm. Do të duhej të jetë një ndër gjashtë vendet si të gjitha të tjerat. Dhe kushti i dytë ka qenë që vetë nisma të jetë në përputhje me procesin e anëtarësimit në BE dhe që rrugëtimi i saj të jetë drejt anëtarësimit në BE. Ne e mbështesim Ballkanin e Hapur me kusht që këto kushte të përmbushen. Por, edhe diçka, ne jemi shumë të vetëdijshëm se ky është vendim sovran. Vetë qeveria e Kosovës duhet të marrë vendim se në cilat aranzhime dëshiron të përfshihet. Deri tani, qeveria e Kosovës nuk ka qenë e interesuar që ti bashkohet nismës „Ballkani i Hapur”, ka thënë ambasadori amerikan.