Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka komentuar deklaratat e Kurtit për sukseset e Qeverisë.
Halimi ka thënë se “kjo qeveri vërtetë mund t’i ketë thyer disa rekorde, mirëpo të gjitha për qeverisje të dobët”.
Ajo ka shkruar se “për herë të parë si shtet, sivjet ka pasur inflacion 20 për qind në produkte bazike”.
Halimi ka përmendur “rekordet” e qeverisë në energji, investime kapitale, derisa ka shtuar edhe “sulmet e pareshtura ndaj mediave dhe sindikatave”.
“Kjo qeveri vërtetë mund t’i ketë thyer disa rekorde, mirëpo të gjitha për qeverisje të dobët. Për herë të parë si shtet, sivjet kemi pasur inflacion 20% në produkte bazike. Edhe në energji, rekorde sa të duash: zero inciativa për të ndërtuar kapacitete prodhuese, zero kontrata për furnizim afatgjatë me rrymë; për të kulmuar me rekordin kryesor – terrin në verë. As investimet kapitale nuk i shpëtuan “thyerjes së rekordeve” – veç 9% shpenzim, pra 91% teprim të mjeteve. Ka pasur edhe rekorde të llojeve të tjera, si sulme të parreshtura ndaj mediave, e së fundmi edhe ndaj sindikatave. Kemi një kryeministër që e ka humbur kontaktin me bazën, me qytetarët; dhe bashkë me oborrtarët e tij po fluturojnë në retë e delirit të sukseseve imagjinare, teksa gjendja në terren është krejt tjetërfare. Kemi qytetarë që duan veç të ikin – të gjithë pa përjashtim, ngase nuk përballojnë jetesën e çdoditshme, pasi shteti i tyre i ka braktisur në plotni”, ka shkruar Halimi.