Pas një postimi në Facebook, ku shkruante keqmenaxhimin e pronave në Ministrinë e Bujqësisë, ministri Faton Peci është nën përcjelljen e Policisë së Kosovës. Nevoja për mbrojtje të afër për ministrin Peci erdhi si pasojë e denoncimit publik që bëri, duke u bazuar në një raport zyrtar të Komisionit që u themelua për adresimin e nevojave të Auditorit të Përgjithshëm. Nga Kabineti i Ministrisë së Bujqësisë, i konfirmuan gazetën Nacionale, se Policia ka filluar të shoqërojë ministrin Peci pas postimit të djeshëm.
Zëdhënësja e ministrit Peci, Flutur Mustafa-Pllana, i tha Nacionales se një gjë e tillë erdhi si reflektim të instuticioneve përgjegjëse ndaj seriozistetit të situatës.
“Përcjellja e policisë është reflektim dhe vlerësim i institucioneve përgjegjëse, ndaj seriozitetit të situatës. Pas adresimit publik te Ministrit gjatë ditës së djeshme lidhur me dyshimet e keqpërdorimeve me pronat e Ministrisë së Bujqësisë, tanimë është në duart e organeve të rendit dhe drejtësisë ta bëjnë punën e tyre ndërsa Ministri do vazhdojë të bashkëpunojë, në çdo hap të hetimeve.”, tha Mustafa për Nacionalen.
Postimi i z.Pecit
Ministri që vjen nga radha e Listës Guxo dje ishte shumë kritik ndaj mënyrës se si është menaxhuar prona publike e Institutit të Bujqësor të Kosovës, e që është në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.
Ministri i cilësoi gjetjet e komisionit si shumë më skandaloze se sa vet raporti i Auditorit të Përgjithshëm.
Sipas ministrit Peci abuzimet kryesore nuk janë bërë me subvencione e me grante, por skandalet kryesore kanë të bëjnë me menaxhimin e pronave.
“Para disa muajsh kam kërkuar themelimin e një Komisioni që adreson vërejtjet e vazhdueshme gati një dekadëshe të Auditorit të Përgjithshëm rreth menaxhimit të pronave të Institutit Bujqësor të Kosovës në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë. Të gjeturat janë skandaloze, shumë më skandaloze sesa vërejtjet e marra në vazhdimësi nga Auditori. Fatkeqësisht nuk është abuzuar vetëm në kategorinë e subvencioneve dhe granteve. Skandalet dhe abuzimet më të mëdha na dalin të jenë tek menaxhimi i pronave.”, shkroi ai fillimisht.
Gjithë këto keqpërdorime ai i quajti si “zhvatje” të pronës publike.
“Është e pa-pranueshme se si para syve të institucioneve qendrore e lokale, ne zemër të Prishtinës, në Ulpianë ështe zhvatur prona e Ministrisë së Bujqësisë duke u lejuar apo duke mbyllur sytë karshi:
Ndërtimeve të jashtëligjshme dhe ndërtimeve të vrazhda pa asnjë pasojë nga organet relevante të thirrura për ndalimin e ndërtimeve pa leje! Uzurpim dhe tjetërsim i pronës publike të Ministrisë nga individë që nuk janë kontrolluar asnjëherë nga institucionet e thirrura për ta realizuar një gjë të tillë.”, shkroi tutje ministri Peci.
I pari i Bujqësisë ka rënditur edhe keqmenaxhimet që kanë ndodhur në këtë dikaster qeveritar, gjithnjë sipas gjetjeve të komisionit e auditimit.
“Tejkalim në objekte banimi dhe lokale afariste. Operatorët ekonomikë / palë të treta në këtë lëmsh të krijuar, paguajnë qira për objektet e tyre afariste mirëpo jo titullarit faktit të pronës.
Rasti tjetër tejet abuziv e shkatërrues për pronën publike është ndërtimi i rreth 25 vilave, prej tyre një numër i konsiderueshëm ndërtime të vrazhda në Prona të Institutit Bujqësor të Kosovës në Joshanicë të komunës së Pejës respektivisht në Stankaj.”, vazhdoi Peci.
Madje, Peci paralajmëroi se ditëve në vazhdim do të merren të gjitha masat ligjore, në lidhje me këto raste.
“Ditëve në vijim do të marrim të gjitha veprimet administrative dhe ligjore, që do të mundësojnë rikthimin e ligjshmërisë, kthimin e këtyre aseteve dhe pasurive tek titullari, valorizimin e pronës dhe rritjen e inkasimit të mjeteve në shërbim të interesit të qytetarëve të Kosovës.”, përfundoi z.Peci.
Kujtojmë që së fundmi z.Peci është zgjedhur së bashku me Donika Gërvallën, ministre e Jashtme, kryetar i Listës Guxo, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.