Mërgim Berisha i mbyll derën edhe një herë Kosovës: Kam cilësi të luaj për Gjermaninë, do ta bëjë maksimumin që ta arrij këtë gjë

Mërgim Berisha po kalon një formë të mirë në Bundesliga me FC Augsburgun, duke e lidhur shpesh edhe me një vend në skuadrën e Gjermanisë për Kupën e Botës.

Lojtari që është në huazim nga Fenerbahce te Augsburg, ka folur fillimisht për klubin e ri, duke thënë se ndjehet mirë.

“Mund të them: ndihem shumë mirë dhe mund ta imagjinoj se do të ishte shumë mirë të qëndroj më gjatë. Drejtuesit e klubit gjithmonë donin të më merrnin. Kjo më jep një ndjenjë të mirë”, ka thënë 24-vjeçari në një intervistë për “Sport Bild”.

Berisha ka qenë shpesh i lidhur me afrimin te Kosova, pasi ka cilësi të mëdha, por lojtari që u shpall kampion i Evropës me Gjermaninë U21, beson që mund të luajë edhe në ekipin e parë të gjermanëve.

Drejtori gjeneral i klubit, Stefan Reuter, kishte thënë më parë se ai e meriton një vend në Kupën e Botës.

“Isha shumë i lumtur për këtë dhe mendoj se kam cilësitë për të luajtur në kombëtare. Ne u bëmë kampionë të Evropës me U21 në 2021 dhe do të bëj maksimumin për të vazhduar këtë kapitull”, ka thënë Berisha./Telegrafi/