Propozimi franko-gjerman synon që dialogun ta ngritë në nivelin krejtësisht politik dhe është lëshuar në publik si çështje testimi për marrëveshjen përfundimtare që duhet të gjejnë Kosova dhe Serbia.
Kështu ka deklaruar Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, i cili tha se nga nënshkrimi Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, janë zhvilluar përgjithësisht bisedimet teknike.
“Është lëshuar vetëm si një testim i çështjes – nuk e di se me marrëveshjen e kujt është bërë kjo – pra, të çështjes së statusit, çështjes së definimit të zgjidhjes përfundimtare. Dhe, ajo sillet nëpër opinion. Unë, me sa di, ka mjaft çështje brenda, përndryshe kjo letër do të ishte e padobishme”.
“Së pari, duhet ta dimë se kjo letër bart qëndrimin e Gjermanisë dhe Francës. Për të duhet të deklarohen Prishtina dhe Beogradi, por do të shohim reagime edhe të Britanisë (së Madhe). Do të ishte ideale që një ditë, nga ky proces, të shndërrohet në platformë të përbashkët për negociata”, thekson Janjiq.
Dushan Janjiq shpreh mendimin se në dokument-propozimin franko-gjerman “nuk ka hapësirë për tregti, siç kalkulon Vuçiqi para opinionit”, se në rast se Serbia pranon propozimin, atëherë i përshpejtohet anëtarësimi në BE.
Ai shton se modeli i dy Gjermanive është oferta më e mirë që mund t’i bëhet Kosovës dhe Serbisë.
“Mendoj se ky është fillimi i fushatës që të pranohet ky model. Cili është ky model? Disa e quajnë si modeli i ‘dy Gjermanive’ dhe kjo është e mira e kësaj letre. Mendoj se në këto rrethana as Prishtina dhe as Beogradi nuk do të marrin ofertë më të mirë. E ajo është që Serbia të pranojë ekzistencën e Republikës së Kosovës. Pra, që Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës (në organizata ndërkombëtare) dhe të bashkëpunojë me Kosovën, kur kanë interesa të përbashkëta në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Kombet e Bashkuara”, thekson Janjiq për Radio Evropa e Lirë.
“Modeli i dy Gjermanive” nënkupton marrëveshjen e arritur në vitin 1972 ndërmjet ish-Republikës Federale të Gjermanisë (që njihej si Gjermania Perëndimore) dhe ish-Republikës Demokratike të Gjermanisë (që njihej si Gjermania Lindore). Përmes kësaj marrëveshjeje, të dy vendet normalizuan marrëdhëniet, pa e njohur formalisht njëra-tjetrën.
Janjiq thekson se megjithatë, nuk pret që së shpejti të ketë ndonjë takim ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, përveç në rast se Bashkimi Europian detyrohet të organizojë një takim të tillë. Shkas për një takim të tillë të detyruar, sipas tij, mund të jenë tensionet eventuale në veri të Kosovë në rast se nuk arrihet një marrëveshje teknike për targat ose nuk shtyhet zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për këtë çështje.