




Ish-ministri i jashtëm dhe aktualisht nënkryetar i Kuvendit, Enver Hoxhaj ka thënë se Kosova ka humbur mundësinë që të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe, pasi sipas tij, kjo ndodhi nga padituria dhe hipokrizia e qeverisë Kurti.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Hoxhaj ka thënë se në fillim të vitit pati një shpresë për një mundësi që Kosova të përfitonte nga një gjeopolitikë e rrezikshme e krijuar pas luftës në Ukrainë, dhe të bëhej pjesë e Partneritetit për Paqe që është si paradhomë e anëtarësimit në NATO.





“Kur në fillim të vitit u shfaq një gjeopolitikë e rrezikshme pas luftës në Ukrainë, dukej shpresëdhënëse mundësia që Kosova të përfitonte dhe bëhej pjesë e Partneritetit për Paqe, si paradhomë e anëtarësimit në NATO! Kësaj pritje, së bashku me fundvitin i erdhi fundi! Një mundësi e tillë po dështon për shkak të paditurisë dhe hipokrizisë së atyre që po udhëheqin Kosovën! NATO-ja, janë ata që sot po mbrojnë shtetet dhe jo dikush tjetër!”, ka shkruar Hoxhaj.