Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, edhe sot ka vazhduar të replikojë ndaj kryeministrit Albin Kurti, për debatin e djeshëm të nisur në Kuvend lidhur me funksionimin e Institutit për Krime Luftë në Kosovë.
Tahiri, përmes një postimi në Facebook, pyet Kurtin se çfarë “krimesh të luftës” po synon të hetojë Albin Kurti pas përfundimit të luftës në qershor të 1999?.
“Si mund të kryhen “krime të luftës” pasi që lufta të ketë marrë fund? Serbia ka kryer krime lufte e gjenocid në Kosovë deri në qershor të vitit 1999. Hulumtimi i krimeve të luftës duhet të vazhdojë e të institucionalizohet”, ka shkruar Tahiri.
Ai tha se një gjë e tillë i përshtatet Serbisë.
“Por përpjekja e Qeverisë së Albin Kurtit, për ta bërë një ligj që synon të hetojë e hulumtojë “krimet” që ndërlidhen me luftën deri me datën 31 dhjetor, 2000, është përpjekje që i shkon përshtat pikërisht atyre që janë përgjegjës për gjenocidin në Kosovë. 31 dhjetori i 2000-tës, është epitomë e Serbisë që përpiqet t’ia ndërrojë kahun e historisë dhe të gjejë amnisti për gjenocidin e kryer. Ne do ta kundërshtojmë me çdo mjet politik tjetërsimin e historisë përmes ligjeve të dëmshme, antihistorike e antikombëtare”.
Kurti e Tahiri u përplasën dje në Kuvend mbi këtë temë.
Tahiri ka thënë se njerëzit që punësohen në këtë Institut duhet të kenë grada shkencore dhe jo të jenë militant partiakë.
Me nerva, Kurti i reagoi Tahirit, i cili në fund i tha se duhet t’i vijë turp.
“Në këtë Kuvend në vitin 2013 janë amnistuar kriminelët me më shumë se dy të tretat, ju ua keni dhënë amnestinë. Prandaj, s’keni kurrfarë legjitimiteti që ta merrni fjalën e të flisni gjepura këtu.. Mjaft më, mjaft deputeti me shurdhues. Turp”.